sht62018
Përditësohen rekomandimet për osteoporozën. Kush duhet ekzaminuar e kush jo?
Task Forca e Shërbimeve Parandaluese në SHBA (USPSTF) ka botuar në "JAMA", rekomandimet e saj, të propozuara fillimisht në vitin 2011, lidhur me ekzaminimin e osteoporozës ose humbjen e densitetit të kockave. Duke paraqitur panoramën e gjendjes, USPSTF-ja thekson se mbi 12 milionë amerikanë mbi moshën 50-vjeçare mund të vuajnë nga këto sëmundje deri në vitin 2020. Frakturat që lidhen me humbjen e dendësisë kockore, sidomos frakturat e legenit, mund të shkaktojnë dhimbje kronike dhe paaftësi, si dhe të reduktojnë cilësinë e jetës; jo rastësisht, deri në 30% e njerëzve që përjetojnë frakturë osteoporotike vdesin brenda një viti.
Grupi i punës që u kujdes për përditësimin e rekomandimeve, është i mendimit se për të parandaluar frakturat osteoporotike te gratë me moshë 65 ose më shumë vjeç, është i nevojshëm ekzaminimi me një test të matjes së dendësisë së eshtrave, siç është absorptiometria me rreze X me energji të dyfishtë (rekomandim i gradës B).
Për gratë më të reja, por që janë pas menopauzës, mjekët fillimisht mund të vlerësojnë rrezikun klinik të pacientit me mjete të tilla si FRAX, SCORE ose OST. Gratë që konsiderohet se janë në rrezik për osteoporozën, duhet të kontrollohen me teste të matjes së kockave (rekomandimi B).
Sa i përket ekzaminimit te meshkujt, sipas autorëve, nuk ka të dhëna të mjaftueshme për t'u shprehur pro ose kundër (deklarata I).
"Është i nevojshëm një ekzaminim i mëtejshëm i protokolleve të shqyrtimit të osteoporozës", shkruan Margaret Gourlay (Universiteti i Karolinës së Veriut), në një editorial të posaçëm në "JAMA Internal Medicine". Gourlay argumenton se procesi i shqyrtimit me dy faza te gratë e reja është ndërlikuar pa nevojë dhe se nuk ka dëshmi të mjaftueshme për dobinë e tij. Nga ana tjetër, Jane Cauley (Universiteti i Pitsburgut), komenton vendimin për të mos mbajtur qëndrim pro ose kundër shqyrtimit për burrat.
"Është një qasje e arsyeshme të kemi si objektiv ekzaminimin e burrave të moshuar me rrezik të lartë për thyerje, për shkak të dendësisë së dobët minerale", përfundon ajo.
JAMA 2018. doi:10.1001/jama.2018.7498
https://jamanetwork.com/journals/jama/fullarticle/2685995
JAMA Int Med 2018. doi: 10.1001/jamainternmed.2018.2776
https://jamanetwork.com/journals/jamainternalmedicine/fullarticle/2684639
JAMA. 2018. doi: 10.1001/jama.2018.5722
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29946707