sht212018
Mbështetet përdorimi i antibiotikëve te fëmijët me kollë. Ja, cilat janë pro-të dhe kundra-t
Antibiotikët janë efektivë te fëmijët me kollë produktive për më shumë se katër javë, sipas një shqyrtimi të kohëve të fundit nga Cochrane. "Te këta pacientë, të dhënat tona tregojnë se marrja për dy javë e antibiotikëve përkatës, është pothuajse gjithmonë efektive në trajtimin e simptomave", thotë bashkautorja Julie Marchant (Qendra e Kërkimeve për Shëndetin e Fëmijëve në Brisbane, Australi), duke saktësuar se kolla kronike produktive është ndryshe nga varianti i saj i thatë, që nuk duhet trajtuar me agjentë antibakterialë.
Autorët kanë bërë një rishikim të studimeve të publikuara nga viti 2008 deri në 2017 duke përdorur regjistrin e specializuar Cochrane Airways dhe arkiva të tjerë biomjekësorë. Në përfundim të kërkimit janë identifikuar studime që bëjnë krahasimin mes antibiotikëve dhe placebos te fëmijët me kollë produktive kronike.
Të treja studimet e përzgjedhura për shqyrtim, të kryera mbi 190 fëmijë të moshës 21 muajsh deri gjashtë vjeçare dhe të ndjekur për një periudhë nga 7 deri në 14 ditë, sugjerojnë që përdorimi i antibiotikëve redukton në mënyrë të konsiderueshme përqindjen e fëmijëve që nuk janë shëruar gjatë ndjekjes.
"Në Australi, Europë dhe në SHBA, bronkiti bakterial i vazhdueshëm (PBB), një shkak i zakonshëm në këtë skenar klinik, karakterizohet nga një kollë kronike e njomë te fëmijët që përveç kësaj, janë të shëndetshëm, pa të tjera shenja apo simptoma dhe ndodh për shkak të një infeksioni endobronkial kronik që fillimisht duhej trajtuar me antibiotikë.
Megjithatë, nëse kolla nuk shërohet pas trajtimit, është mirë të thellohet kuadri klinik me të tjera shqyrtime, për arsye se kolla mund të tregojë se ekzistojnë shkaqe me baza më të rënda", përfundon Marchant.
Por Rana El Feghaly (drejtore e programit të menaxhimit të antibiotikëve, pranë klinikës "Children's Mercy", në Kanzas, SHBA), i hedh ujë zjarrit: "Pjesa më e madhe e fëmijëve me kollë, kanë sëmundje virale që i bëjnë joefikasë antibiotikët dhe, mbi të gjitha, janë të lidhur zakonisht me efekte anësore të tilla si, eruptime kutane e diarre dhe se, nëse përdoren me tepri, provokojnë zhvillimin e rezistencës bakteriale. Për të sqaruar më mirë marrjen e antibiotikëve në kollën produktive kronike, nevojiten studime të tjera klinike, të kontrolluara me numrin e përshtatshëm të rasteve dhe ndjekje që do të mjaftonte për të vlerësuar rezultatet e studimit", përfundon ajo.
Cochrane Database Syst Rev. 2018. doi: 10.1002/14651858.CD004822.pub3
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30062732