pri12019
Identifikohen shënjestrat e reja terapeutike kundër atrofisë muskulore spinale
Një studim i ri italian i publikuar në "Brain", ka identifikuar te pacientët me atrofi muskulore spinale, dy gjene të mundshme target NRXN2 dhe SYNCRIP, si alternativë ndaj gjenit SMN, i cili aktualisht është objektivi i vetëm i terapisë ekzistuese.
"Një analizë komplekse e shprehjes gjenike, e kryer në një model human in vitro që përbëhej nga motoneurone të ardhura nga qelizat staminale pluripontente të induktuara, ka bërë të mundur identifikimin e gjeneve të tjera, shprehja e të cilave është e ndryshuar gjatë patologjisë dhe janë zbuluar elemente që i bashkojnë këto gjene", shpjegojnë Federica Rizzo dhe Monica Nizzardo (Universiteti i Studimeve në Milano), autore kryesore të këtij punimi, duke saktësuar se qelizat e përdorura në studim, janë marrë nga fibroblaste kutane të pacientëve të prekur nga atrofia muskulore spinale dhe nga individë të shëndetshëm.
Atrofia muskulore spinale është një sëmundje e motoneuronit, që shkaktohet nga mutacione në SMN (survival motor neuron) 1. Për të kuptuar arsyet e vulnerabilitetit selektiv të motoneuroneve që lidhen me reduktimin e SMN-së, kërkuesit kanë kryer një sekuencim të ARN-së së motoneuroneve spinale humane, për të zbuluar ndarje specifike ose shprehje të ndryshuara të gjenit dhe për të identifikuar praninë e një sekuence të zakonshme në këto gjene. Shumë gjene të parregulluara, si: neurexina dhe sinaptotagmina, janë implikuar në funksionet kritike të motoneuroneve. Analizimi i disa gjeneve të këtyre familjeve, ndërmjet të cilave neurexina 2 (NRXN2), ka zbuluar një motiv të zakonshëm (motivi 7) që është një target i proteinës SYNCRIP. Dhe, pikërisht një mbishprehje e SYNCRIP-it i ka shpëtuar motoneuronet nga atrofia muskulore spinale, duke provokuar një rritje të SMN-së dhe të targetit NRXN2 në drejtim të rrymës, nëpërmjet një mekanizmi të lakut pozitiv dhe ka sjellë kështu, përmirësime në fenotipet patologjike që lidhen me humbjen e SMN-së në modelet e minjve dhe krimbave.
"Ky rezultat dëshmon nevojën për të vazhduar thellimin e njohurive mbi mekanizmat e neurodegjenerimit në atrofinë muskulore spinale, me identifikimin e shënjuesve të rinj molekularë që janë të dobishëm për të kuptuar sëmundjen, për të vlerësuar plotësisht përgjigjen terapeutike ndaj molekulave aktualisht të disponueshme dhe për të kontribuar në optimizimin e strategjive të tanishme dhe të ardhshme terapeutike", përfundon Stefania Corti, autore kryesore e studimit nga Universiteti i Studimeve në Milano.
Brain. 2019. doi: 10.1093/brain/awy330
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30649277