nën132019
Diagnostikimi përmes imazherisë, rritet me ritme alarmante, pavarësisht kërkesave për moderim
Një studim i botuar në "JAMA" thekson se, pavarësisht një fushate të gjerë që u kërkonte profesionistëve të kujdesit shëndetësor të reduktonin përdorimin e diagnostikimit nëpërmjet imazheve, shkalla e përdorimit të tomografisë, rezonancës magnetike dhe llojeve të tjera të ekzaminimeve përmes imazhit, vazhdojnë të rriten si në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe në rajonin kanadez të Ontarios.
Studiuesit nga tre qendra kryesore akademike amerikane kanë vlerësuar mbi 135 milionë ekzaminime imazherie në studimin më të madh të këtij lloji të kryer ndonjëherë dhe janë të shqetësuar se kjo rritje është edhe pasojë e abuzimit me këto metoda. "Imazheria është pjesë e rëndësishme e kujdesit shëndetësor, por mund edhe t'i dëmtojë pacientët, me anë të gjetjeve aksidentale, mbidiagnostikimit, ankthit dhe ekspozimit ndaj rrezatimit, me një shtim për pasojë, të rrezikut për kancer", thotë Rebecca Smith-Bindman (Universiteti i Kalifornisë në San Diego), autore kryesore e studimit.
Studiuesit analizuan modele imazhesh të periudhës 2000-2016 në një grup heterogjen pacientësh të rritur dhe pediatrikë, të regjistruar në shtatë sisteme shëndetësore në SHBA dhe në sistemin e shëndetit publik në Ontario. Kështu, rritja vjetore e CT, MRI-së dhe ekografive ishte më e larta në vitet 2000-2006, por edhe pas kësaj periudhe përdorimi vazhdoi të rritej nga viti në vit dhe në periudhën 2012-2016, është vënë re një normë vjetore e rritjes prej 1-5% për shumicën e grupmoshave dhe shumicën e testeve në Shtetet e Bashkuara dhe Ontario.
Përjashtimi i vetëm ishte përdorimi i CT-së te fëmijët, që në Shtetet e Bashkuara ka rënë nga 2009-2013 dhe më pas mbeti i qëndrueshëm, ndërsa vazhdon të jetë në rënie në Ontario që nga viti 2006. Shkalla e imazherisë për CT dhe MRI ishte më e lartë në Shtetet e Bashkuara sesa në Ontario, por ky hendek tani po arrin kulmin. Autorët vërejnë se përdorimi i mundshëm i testeve diagnostikuese u adresua në fushatën "Zgjedhja e mençur", e nisur në vitin 2012 nga Bordi Amerikan i Mjekësisë së Brendshme dhe se nisma të tjera kanë krijuar stimuj për të dekurajuar përdorimin e tepërt të diagnostikimit përmes imazheve, duke ulur kështu normat e rimbursimit për ekzaminime të përcaktuara, por bazuar në këto rezultate, duket se këto masa nuk kanë qenë plotësisht efektive.
JAMA 2019. doi: 10.1001/jama.2019.11456
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31479136