jan242020
Udhëzime të reja për menaxhimin e niveleve të ulëta të testosteronit, të lidhura me moshën
Kolegji Amerikan i Mjekëve (ACP) ka publikuar në "Annals of Internal Medicine", udhëzimet e reja klinike që ofrojnë rekomandime praktike për terapinë me testosteron te burrat e rritur që paraqesin nivel të ulët testosteroni, të lidhur me moshën. "Qëllimi i këtyre udhëzimeve është të paraqesim rekomandime të bazuara në provat më të mira të disponueshme, që bëjnë një analizë të dobisë, dëmeve dhe kostove të trajtimit me testosteron në këtë popullsi", konfirmon Amir Qaseem, Kolegji Amerikan i Mjekëve në Filadelfia, autori kryesor i studimit.
Rekomandimet sugjerojnë që mjekët duhet të nisin trajtimin me testosteron te këta pacientë, me qëllimin e vetëm që të përmirësojë funksionin seksual. Sipas autorëve, në fakt, ekzistojnë prova me siguri mesatare mbi faktin që trajtimi me testosteron te këta individë mund të ketë sjellë një përmirësim të lehtë të funksionit seksual të përgjithshëm, ndërsa prova të dobëta flasin për një përmirësim të vogël të funksionit erektil.
Përkundrazi, provat e disponueshme tregojnë një përmirësim minimal ose asnjë përmirësim të funksionit fizik, të simptomave depresive, të energjisë dhe të vitalitetit, ose të aftësive konjitive mes këtyre burrave, pas trajtimit me testosteron. ACP-ja rekomandon të rivlerësohen simptomat e burrave brenda 12 muajsh që nga nisja e trajtimit me testosteron dhe në vazhdim, në mënyrë të rregullt, që të mund të ndërhyhet me ndërprerjen e trajtimit në rastet kur funksioni seksual nuk përmirësohet. Udhëzimi rekomandon gjithashtu përdorimin e formulimeve intramuskulare, në vend të atyre transdermike për trajtimin, duke qenë se kushtojnë më pak, kanë efikasitet klinik dhe efekte të padëshiruara të ngjashme.
Në një editorial shoqërues, Victor Adlin (Universiteti Temple, Filadelfia, Pensilvani), vë në dukje se këto udhëzime të reja pasqyrojnë kryesisht ato të propozuara së fundmi nga Shoqata Endokrine dhe Shoqata Urologjike Amerikane. Sidoqoftë, eksperti beson se shumë mjekë do të vënë në dyshim rekomandimin për favorizim të formulimeve intramuskulare, gjë që mund të përbëjë një pengesë të mundshme për aderimin në terapi, për shkak të nevojës për injeksion dhe niveleve të luhatshme të testosteronit në gjak, pas administrimit.
Ann Intern Med. 2020. Doi: 10.7326/M19-0882
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31905405
Ann Intern Med. 2020. Doi: 10.7326/M19-3815
https://dx.doi.org/10.7326/M19-3815