Focus

sht202021

Depresioni në Evropë është shumë i përhapur, veçanërisht te gratë dhe të moshuarit. Ja, vendet më të prekura

6.4% e popullsisë evropiane vuan nga depresioni, sipas një studimi të publikuar në Lancet Public Health. "Kjo shifër është shumë më e lartë se ajo e vlerësuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), që ka përllogaritur se përhapja e kësaj sëmundjeje në rajonin evropian është 4.2%", thotë Jorge Arias-de Torre (King's College London), autori kryesor i studimit.

Studiuesit analizuan të dhënat e 258,888 njerëzve nga 27 vende evropiane. Prevalenca e depresionit u llogarit duke përdorur një shkallë me tetë njësi (PHQ-8), e cila vlerëson praninë dhe intensitetin e simptomave depresive, duke përjashtuar mendimet për vdekje ose vetëvrasje. Nga popullsia përgjithshme e intervistuar, 6.4% paraqitën një çrregullim të mundshëm depresiv. Te gratë, të cilat përbënin 52.2% të mostrës, prevalenca e kësaj sëmundjeje ishte 7.7%, shumë më e lartë se ajo e regjistruar për burrat, e cila ishte 4.9%. Ekspertët kanë gjetur këtë ndryshim të dukshëm midis gjinive në pothuajse të gjitha vendet, me përjashtim të Finlandës dhe Kroacisë. Një nga faktet që i habiti më shumë studiuesit ishin ndryshimet midis vendeve, me përqindje të përhapjes deri në katër herë më të larta në kombet më të zhvilluara ekonomikisht. Vendet me prevalencën më të lartë ishin Islanda (10.3% e popullsisë), Luksemburgu (9.7%), Gjermania (9.2%) dhe Portugalia (9.2%). Vendet me normat më të ulëta ishin Republika Çeke (2.6%), Sllovakia (2.6%), Lituania (3%) dhe Kroacia (3.2%). Gjermania dhe Irlanda kishte përqindjen më të lartë të meshkujve me çrregullime depresive, ndërsa përqindja më e ulët ishte në Republikën Çeke dhe Sllovaki. Sa për gratë, vendet me nivelet më të larta të depresionit ishin Gjermania dhe Luksemburgu, ndërsa ato me normat më të ulëta ishin Sllovakia dhe Republika Çeke.

Sipas autorëve, këto gjetje sugjerojnë se faktorët demografikë, kulturorë dhe socio-politikë, të tillë si qasja në shërbimet shëndetësore, pasiguria në punë ose rritja e kostos së jetesës, mund të jenë faktorë përcaktues në dallimet e vëzhguara. Përsa iu përket grupeve të popullsisë, më të prekurit nga depresioni janë të moshuarit, që nuk kanë lindur në Bashkimin Evropian, të cilët jetojnë në zona me dendësi të madhe popullsie, me sëmundje kronike, që bëjnë pak aktivitet fizik dhe me nivele më të ulëta arsimimi dhe të ardhurash. Rezultatet e studimit tregojnë gjithashtu se vendet e Evropës Perëndimore kanë nivele më të larta të depresionit sesa vendet e Evropës Lindore.


Lancet Public Health 2021. Doi: 10.1016/S2468-2667(21)00047-5
http://doi.org/10.1016/S2468-2667(21)00047-5 


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>