kor22024
Afro 1.8 miliardë të rritur në rrezik për sëmundje nga mungesa e aktivitetit fizik
Disa të dhëna demonstrojnë se pothuajse një e treta (31%) e të rriturve në botë, afro 1.8 miliardë njerëz, nuk i arrijnë nivelet e aktivitetit fizik në 2022. Këto rezultate hedhin dritë mbi një tendencë shqetësuese të aktivitetit fizik te të rriturit, e cila është rritur pothuajse me 8% në vitet 2010-2022.
Nëse kjo tendencë vazhdon, nivelet e mungesës së aktivitetit parashikohen të rriten më tej me 35% deri në vitin 2030 dhe aktualisht bota nuk është në rrugën e duhur drejt përmbushjes së synimit botëror për reduktimin e mungesës së aktivitetit fizik deri në 2030. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon që të rriturit të kryejnë 150 minuta aktiviteti fizik me intensitet mesatar, ose 75 minuta me intensitet të lartë në javë. Mungesa e aktivitetit fizik i vë të rriturit në rrezik më të lartë për zhvillim të sëmundjeve kardiovaskulare, të tilla si ataket e zemrës dhe insultet, diabeti i tipit 2, demenca dhe kanceret, si ai i gjirit apo kolonorektal.
"Këto rezultate hedhin dritë mbi mundësinë e humbur për të reduktuar kancerin dhe sëmundjet e zemrës. Ne duhet ta rishikojmë angazhimin tonë në rritjen e niveleve të aktivitetit fizik dhe në të dhënit përparësi veprimeve të guximshme, duke përfshirë politikat e përforcuara dhe financimin e shtuar për larguar këtë tendencë shqetësuese", tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Normat më të larta të aktivitetit fizik u vërejtën në rajonin paqësor të Azisë me të ardhura të larta (48%) dhe në Azinë e jugut (45%), me nivele të mungesës së aktivitetit fizik në rajone të tjera që variojnë nga 28% në vendet perëndimore me të ardhura të larta në 14% në Oqeani.
Shqetësuese mbeten pabarazitë gjinore dhe ato të moshës. Mungesa e aktivitetit fizik në botë është ende më e shpeshtë te femrat, krahasuar me meshkujt, me norma të mungesës së aktivitetit fizik përkatësisht në 34% dhe 29%. Në disa vende, kjo diferencë është edhe 20%. Gjithashtu, individët 60 vjeç e lart janë më pak aktivë se të rriturit e tjerë, duke theksuar rëndësinë e promovimit të aktivitetit fizik te të rriturit në moshë më të madhe.
"Mungesa e aktivitetit fizik është një kërcënim i heshtur për shëndetin në botë, duke kontribuuar ndjeshëm në barrën e sëmundjeve kronike. Ne duhet të gjejmë mënyra novatore për t'i motivuar njerëzit që të jenë më aktivë, duke marrë në konsideratë faktorë si mosha, mjedisi dhe historiku kulturor. Duke e bërë aktivitetin fizik të aksesueshëm, të përballueshëm dhe të këndshëm për të gjithë, ne mund ta reduktojmë ndjeshëm rrezikun për sëmundje të pakomunikueshme dhe të krijojmë një popullsi që është më e shëndetshme dhe më produktive", u shpreh Drejtori për Promovimin e Shëndetit në OBSH, dr. Rüdiger Krech.
Pavarësisht rezultateve shqetësuese, ka edhe shumë shenja përmirësimi në disa vende. Nga ky studim u tregua se afro gjysma e vendeve të botës kanë shfaqur përmirësim gjatë dekadës së fundit dhe 22 vende u identifikuan si të prirura ndaj arritjes së synimit botëror të reduktimit të mungesës së aktivitetit fizik me 15% deri në vitin 2030, nëse tendenca e tyre vazhdon me të njëjtin ritëm.
Në kuadër të këtyre rezultateve, OBSH u bën thirrje vendeve të forcojnë zbatimin e politikave të tyre me qëllim promovimin dhe krijimin e kushteve për aktivitet fizik, përmes sportit bazë dhe atij komunitar, si dhe rekreacionit dhe transportit aktiv (shëtitja, çiklizmi dhe përdorimi i transportit publik), ndër masa të tjera.
Promovimi i aktivitetit fizik shkon përtej nxitjes së zgjedhjes individuale të stilit të jetës. Nevojitet qasja e një komuniteti të tërë dhe krijimi i mjediseve që e bëjnë më të lehtë dhe më të sigurt aktivitetin fizik, në mënyrë që njerëzit të shijojnë përfitimet e shumta të tij", u shpreh Kreu i Njësisë për Aktivitetin Fizik në OBSH, dr. Fiona Bull.
Janë të nevojshme përpjekje të përbashkëta, të bazuara në bashkëpunime ndërmjet qeverive dhe organizatave jo qeveritare, si dhe investime të shtuara në qasje novatore për të përfshirë njerëzit më pak aktivë dhe për të reduktuar pabarazitë në qasjen ndaj masave, duke promovuar dhe përmirësuar aktivitetin fizik.
Burimi: OBSH