nën252021
Një "selfie" bën zbulimin e hershëm të infeksionit në plagët post operatore
Një studim i publikuar në NPJ Digital Medicine zbulon se fotot e plagëve pas operacionit të bëra nga pacientët dhe më pas, të vlerësuara nga mjekët, mund të ndihmojnë në identifikimin e hershëm të infeksioneve. "Kjo praktikë mund të përmirësojë menaxhimin e kujdesit ndaj pacientëve kirurgjikalë ndërsa shërohen dhe të reduktojë presionin mbi shërbimin shëndetësor kombëtar", tha Ewen Harrison, nga Universiteti i Edinburgut, i cili drejtoi punën.
Studiuesit studiuan 492 pacientë që i ishin nënshtruar kirurgjisë urgjente abdominale, për të parë nëse fotot me smartfon dhe disa pyetje rreth simptomave të infeksionit mund të përdoren për të diagnostikuar herët infeksionet e plagëve. Një grup prej 223 pacientësh u kontaktuan tre, shtatë dhe 15 ditë pas operacionit dhe iu referuan një sondazhi në internet, ku kërkoheshin informacione për plagën dhe simptomat. Më pas atyre iu kërkua të bënin një fotografi të plagës dhe ta ngarkonin atë në një faqe interneti të sigurt, në mënyrë që një anëtar i ekipit kirurgjik të vlerësonte fotografitë dhe përgjigjet. Pacientët u ndoqën për 30 ditë pas operacionit për të zbuluar nëse më pas u diagnostikua ndonjë infeksion. Një grup i dytë prej 269 vetësh u ndoqën sipas mënyrës standard dhe u kontaktuan 30 ditë pas operacionit për të zbuluar nëse ishin diagnostikuar me infeksion. Studiuesit nuk zbuluan dallime të rëndësishme midis dy grupeve në kohën e përgjithshme që u desh për të diagnostikuar infeksionet e plagëve në 30 ditët pas operacionit. Megjithatë, grupi i kontrolluar me foto kishte gati katër herë më shumë gjasa për t'u diagnostikuar me një infeksion të plagës brenda shtatë ditëve pas operacionit, sesa grupi i ndjekjes rutinë.
Gjithashtu, grupi i ndërhyrjes kishte më pak vizita mjekësore sesa grupi i kontrollit, si dhe raportoi përvojë më të mirë në përpjekjen për t'iu qasur kurave pas operacionit. Ekipi i kërkimit tani po kryen një studim pasues për të përcaktuar se si mund të shfrytëzohen këto gjetje më së miri për pacientët kirurgjikalë në të gjithë vendin dhe po shqyrton përdorimin e inteligjencës artificiale për të ndihmuar ekipin klinik të vlerësojë mundësinë e infeksionit të plagës.
NPJ Digital Medicine2021. Doi: 10.1038/s41746-021-00526-0
https://doi.org/10.1038/s41746-021-00526-0