Mjekësi e përgjithshme

qer212022

Hiperparatiroidizmi. Nevojitet më shumë vëmendje ndaj rrezikut të frakturave dhe problemeve kardiovaskulare

Hiperparatiroidizmi primar i patrajtuar mbart me vete një rrezik 51% më të madh të frakturës së ijeve dhe rrit me 45% rrezikun për insuficiencë kardiake ose iktus, dhe për këtë arsye duhet të merret parasysh zgjerimi i aksesit në trajtimin kirurgjikal. Kështu raporton një studim i publikuar në JAMA Network Open, ku thuhet gjithashtu se rreziku i gurëve në veshka në këto raste është pothuajse katërfishuar dhe rreziku i vdekjes është rritur me 72%. "Rritja e gjasave për këto komplikime nxjerr në pah rëndësinë e identifikimit të pacientëve me këtë sëmundje hormonale, e cila shpesh zbulohet rastësisht në rastet kur analizat e gjakut  tregojnë nivele të larta të kalciumit dhe nivele normale ose të ngritura të hormonit paratiroid. Dhe është pikërisht ky ekuilibër i ndryshuar i kalciumit në gjak që mund të shkaktojë dëme në veshka, skelet dhe sistemin kardiovaskular", thotë autori kryesor i studimit Kristian Axelsson, Universiteti i Goteborgut.

I vetmi trajtim përfundimtar i hiperparatiroidizmit primar është ndërhyrja kirurgjikale për heqjen e të gjitha ose një pjese të gjëndrave paratiroide për pacientët që plotësojnë disa kritere, ndërsa për ata që nuk i plotësojnë këto kritere rekomandohet monitorim i kujdesshëm. Studimet e mëparshme e kanë lidhur hiperparatiroidizmin primar me osteoporozën dhe sëmundjet kardiovaskulare. Megjithatë, duke qenë se këto studime ishin të pakta dhe të vogla, lidhja linte vend për diskutim. Për të kuptuar më mirë situatën, studiuesit janë bazuar në të dhënat e regjistrit kombëtar të Këshillit Kombëtar Suedez për Shëndetin dhe Mirëqenien e 16,374 pacientëve të diagnostikuar me hiperparatiroidizëm primar në periudhën 2006-2017. Secili prej tyre u krahasua me dhjetë individë të kontrollit të popullsisë të lindur në të njëjtën vit, të së njëjtës gjini dhe me banim në të njëjtin qark. Analiza e të dhënave tregoi se rreziku i rritur i frakturës së ijeve, insuficiencës kardiake dhe iktusit u ulën ndjeshëm te pacientët që iu nënshtruan ndërhyrjes kirurgjikale. "Rezultatet tona tregojnë se operacioni redukton qartë rrezikun e frakturave osteoporotike, dëmtimeve nga rrëzimi dhe vdekjes nga ngjarjet kardiovaskulare, dhe kjo mund të çojë në përzgjedhjen e më shumë pacientëve për ndërhyrje kirurgjikale. Puna jonë mbështet idenë se rreziku kardiovaskular i pacientëve, si dhe rreziku i lartë i frakturës, duhet të merret parasysh në marrjen e vendimeve kirurgjikale", përfundojnë autorët.

 

JAMA Network Open 2022. Doi: 10.1001/jamanetworkopen.2022.15396
http://doi.org/10.1001/jamanetworkopen.2022.15396


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>