News

kor252014

Mentor Petrela: Hapet kursi i Mikrokirurgjisë Eksperimentale

"Fakulteti i Mjekësisë, në historinë e tij, kirurgjinë eksperimentale e lidh me Prof.Petrit Gaçen, i cili në vitet '70-'80 hapi laboratorin e parë ku përdori kafshë si qeni për të eksperimentuar dhe përgatiti ekipin për të nisur kirurgjinë kardiovaskulare", me këto fjalë Profesor Mentor Petrela nis intervistën mbi laboratorin e mikrokirurgjisë të përuruar më 8 Korrik.  Ne vitin 1981, pasi perfundova kursin vjetor të Mikrokirurgjisë në Paris, filluam eksperimentin e mikrokirurgjisë për ortoped Prof.Vladimir Gjata, Dr.Shk. Gezim Pepi, plasticien dhe urolog.Bazuar në shkollën e Mikrokirurgjisë së Aplikuar të Donaghy në SHBA, për një vit u bë i mundur të kalohej në by-passin intra ekstra kranial në arteriet e trurit me dimensione 1-2 mm te njeriu. Por vivariumi dhe laboratori i eksperimentit pranë fakultetit dhe eksperimentimi në edukimin kirurgjikal u zhduk, madje edhe si koncept", vazhdon ai.  
Për më shumë se dy dekada Fakulteti i Mjekësisë ka vazhduar të lëshojë diploma të kirurgjisë dhe të specialiteteve të saj, duke lejuar praktikën direkt tek njeriu, por sipas Normave Europiane dhe atyre Amerikano-Veriore duhet që specializantët të kalojnë kursin e Mikrokirurgjisë Eksperimentale. "Irish Friends of Albania", një grup kirurgësh dhe infermierësh që kanë ndihmuar shumë pacientë në Shqipëri dhe Kosovë prej 10 vitesh tashmë, duke u njohur me projektin e ngritjes së Mikrokirurgjsë Eksperimentale që ju paraqita u treguan të gatshëm të na mbështesin. Në sajë të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të punës me mikun Jack Mccann dhe asistentët Dr. Ridvan Alimehmeti, Dr. Sokol Isaraj, u bë e mundur të blihen dy mikroskopë Laica Samsung , instrumentet dhe fijet e mikrokirurgjisë me një vlerë 28.000 euro. Kursi i parë i Neurokirurgjisë me tetë neurokirurgë rezidentë dhe tre kirurgë plastikë, këta të fundit nga Kosova, zgjati një javë dhe përfundoi më 15 korrik. Eksperimenti u krye ne arteriet , venat e nervat në krahët e pulës. 

Kursi i stadit të dytë do të nisë në dhjetor 2014 me kafshë të gjalla, si lepuj, kavje etj, shoqëruar me çertifikimin përkatës.

Dhe deri këtu gjithçka duket normale, por specializantët e kirurgjisë së përgjithshme, vaskularët, kardiokirurgët, kirurgët plastikë dhe maksilo-facialë, urologët, gjinekologët, okulistët, otorinot, neurokirurgët duhet ti nënshtrohen kurseve të mikrokirurgjisë përpara diplomimit dhe kalimit në praktikën tek njeriu. Është normë e detyrueshme Europiane. Prej shumë vitesh jam përpjekur në të gjitha forumet e Fakultetit të Mjekësisë për ngritjen e dy laboratoreve pasi është i pakonceptueshëm një fakultet pa vivarium dhe pa kadavra për ushtrim topografik, të cilët i kemi pasur deri ne Rhesus Macaque. Disa projekte që kam pergatitur, nuk u vunë në jetë pasi nuk u kuptuan, sidomos nga institucionet e vendit. 

Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit duhet të rregullojnë dekretet dhe ligjet:
- së pari të detyrojnë specializantët në vazhdim të kryejnë kurset, 
- së dyti ata specializantë kirurgë të cilët nuk e kanë kryer në 10 vite, ta kalojnë si edukim të vazhdueshëm pasi do të reflektojnë mbi eksperiencën e mëparshme e t'u vihet si kusht akreditimi,
- së treti, të përgatisin një projekt konkret për Laboratorin e Kirurgjisë për vivarium, instrumentet, mulazhet, endoskopët, anestezinë etj, nuk ka parcimoni për projekte të tilla, nuk ka nevojë për Kafarnaum për reforma të mëdha ku edhe ata që i shkruajnë nuk i besojnë. 

Avicena kryente eksperimente kur Europa ishte në tenebrat e Mesjetës. Papërgjegjësia sot do të jetë me pasoja për pacientët e boomerag për kirurgët.Gjithsesi ky është një fillim i mbarë me laboratorin, që e realizuam me Irish Friends of Albania. 

Mirënjohje të thellë për aksionin e vazhdueshëm, veçanërisht për Mister Jack MCcann. (në konceptin anglosakson për ti dalluar nga mjekët = doktor, kirurgët thirren Mister)


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>