News

tet142014

Ligji i ri i Barnave, aktet nënligjore në shërbim të këtij ligji

Problematikat me Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore
Ditën e djeshme në ambientet e Hotel Sheraton u mbajt forumi i bisnesit me titull "Tregu i barnave në Shqipëri"  i organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, Këshilli Ekonomik Kombëtar dhe Shoqata e Përfaqësive Farmaceutike.
Fjalën e hapjes e mbajti Z. Genc Boga, Sekretar i Përgjithshëm i Këshilli Ekonomik Kombëtar i cili pasi përgëzoi takimin ia la fjalën përfaqësuesit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, Z. Mark Crawford dhe Ministrit të Shëndetësisë, Beqaj.
"Në shëndetësi nuk mund të flasim për mall apo për treg. Për ne, shëndeti është një e mirë publike, kujdes shëndetësor", hapi fjalen e tij Z.Ministër. "Në këtë kuptim duhet të bëhet e qartë se në Shqipëri ne po shkojmë drejt një mbulimi universal. Ajo që ne synojmë të bëjmë është eleminimi i monopoleve, në mënyrë që të sjellim konkurencë të ndershme. Dihet që në Shqipëri barnat janë më të shtenjta se në çdo vend tjetër të BE. Ne synojmë që asnjë produkt të mos paguhet më shtrenjtë se në vendin e origjinës. Duhet të theksohet se përpjekjet zyrtare për krijimin e ligjit të ri të barnave janë të hershme dhe me miratimin dhe hyrjen në fuqi pritet që të rregullohen edhe shumë çështje që deri më tani kanë qenë pezull. Ajo që dua të vë në dukje është se ne kemi trashëguar një gjendje skandaloze edhe në QKKB, ku shumë barna nuk kishin mundur të regjistrohen edhe pse mund të kenë dorëzuar prej një kohe të gjatë të gjithë dokumentacionin. 
Në vijim Z. Beqaj renditi një sërë faktesh që sipas tij tregonin arritjet e AKBPM, si rritja e numrit të produkteve të regjistruara, numri i ulët i dosjeve që presin të regjistrohen, respektimi i afateve të regjistrimit etj.
Por në fjalën e tij Z. Roland Xhafaj, Kryetar i Shoqatës së Përfaqësive Farmaceutike kundërshtoi këto fakte duke thënë se aktualisht numri i ulet i dosjeve per regjistrim është i tillë se kompanitë farmaceutike e kanë të pamundur te aplikojëe pasi dosja u kthehet mbrapsh për plotësim dokumentacioni dhe me përgjigje evazive që bëjnë të humbasë shumë kohë.
Z. Xhafaj duke përgëzuar risitë që Ligji i barnave sjell duke e cilësuar si një hap përpara në përpjekje për të arritur nivelet dhe standartet  europiane u ndal te problematika të cilat ligji nuk i prek dhe që presin rregulloret e reja në mënyrë që ligji të gjejë zbatim konkret.
Më pas fokusi i bisedës u përqëndrua në mënyrën e funksionimit të AKBPM. " Tregu ndërkombëtar para së gjithash kërkon që barnat që tregtohen të garantojnë cilësi, efikasitet dhe siguri, ky është  qëllimi i EMA, AIFA-s madje edhe ne e cilësojmë vehten si avokatë të transparences, të një mjedisi të pastër biznesi dhe zbatues korrekt të ligjit.  Ajo që ne na shqetëson është se cili është realisht objektivi i AKBPM?  Kujt i referohet agjensia në vendimet që merr? A ka transparencë, trajtim me përgjegjshmëri dhe të barabartë të aktorëve? Këto vihen në dyshim kur shikon me vëmendje problematikat që ne hasim", vazhdoi z. Xhafaj.
Në lidhje më këto problematika edhe Z. Genc Boga, Sekretar i Këshillit Ekonomik Kombëtar, kërkoi sqarim nga AKBPM si dhe theksoi situatën absurde ku është futur tregu farmaceutik i cili tashmë po funksionon me ligjin e ri dhe me rregulloret e vjetra gjë qe lë vend për abuzim.
Më pas Z. Xhafaj solli një sërë shembujsh konkrete të cilët argumentonin se ka ende shumë probleme me regjistrimet e reja, ri-regjistrimet dhe variacionet ku AKBPM kthen përgjigje të paqarta, aspak informuese dhe pa shpjegime konkrete.
Një çështje tjetër që ngjalli shumë debate ishte dhe sekuestrimi i barnave nga ana e Agjensisë në rastet kur verehen se ato nuk kanë kryer një variacion të rradhes. Ky fakt u mbrojt nga ana e Ministrisë dhe e Agjensisë si i drejtë pasi sipas tyre një bar që nuk ka bërë një variacion mund të konsiderohet si bar i paregjistruar.
Këtë gjë e kundërshtoi me forcë Z. Sazan Çeliku, përfaqësues i kompanisë farmaceutike Janssen Cilag, i cili në mbrojtje të tezës së tij pruri para të pranishmëve dy kuti medikamentesh për të cilat ishte dhënë leje importi si barna të paregjistruara por që kishin një alternativë të regjistruar në treg. Ky fakt sipas tij tregon se Ministria ka punuar me dy standarte.
Në diskutim ndërhyri dhe Z. Nexhat Sheqi, pronar i kompanisë importuese Rejsi farma. Në fjalën e tij ai theksoi vështiresitë që është i detyruar të përballojë një kompani importuese. Sipas tij për të marrë një autorizim importi një depo importuese duhet të shkojë deri në shtatë herë në AKBPM.
Takimi u mbyll me premtimin e organizimit të një tryeze tjetër ku të vazhdohet dialogu për të debatuar problematikat dhe për të ofruar zgjidhje afatgjata për një sektor kaq jetik siç është ai i farmaceutikës.
 

 


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>