News

tet172014

Kush e paguan çmimin e jetës

MYFTAR BARBULLUSHI
Pak kohë me parë, revista e famshme "New England of Medicine"do t'i dedikonte një numër të tërë një lajmi sensacional: "Sfida e radhës për mjekësinë: Sfidon Hepatitin C". Më pas të gjitha revistat shëndetësore do të përmbyteshin nga tituj të tillë sensacionalë, si: "Mundet sëmundja që prek qindra miliona njerëz në të gjithë botën". "Më së fundi mjekohet një nga sëmundjet kronike".
Në themel të "kësaj mrekullie mjekësore" qëndron një bar i konsideruar zbulimi i ri, më i suksesshmi në historinë e industrisë farmaceutike. Mendoni, vetëm 12 javë mjekim dhe 90% e të sëmurëve të trajtuar me këtë bar shërohen plotësisht! Çfarë arritjeje fantastike për një grup njerëzish të destinuar të kenë probleme madhore për jetën në një të ardhme të afërt! Kur është hera e fundit që ne kemi kuruar një sëmundje madhore të tillë? Por, pak ditë më parë, lajmi i bujshëm se më së fundi mjekësia fitoi sfidën me Hepatitin C, një sëmundje invaliduese dhe vdekjeprurëse kjo që prek qindra milionë njerëz në të gjithë botën, e konsideruar si një epidemi me dimensione gjithnjë në rritje, do të eklipsohej nga çmimi i barit, i cili shkon në 84 mijë dollarë për mjekimin e një pacienti, kur dihet që në Amerikë janë miliona pacientë të prekur nga Hepatiti C. Analistët amerikanë kanë kalkuluar se po të tentohej të mjekoheshin të gjithë këta pacientë, do të kërcënohej buxheti shtetëror për shëndetësinë. Të njëjtat mesazhe zhgënjimi të thellë nga çmimi i barit çudibërës vijnë edhe nga Europa dhe Azia. Është kjo arsyeja e revoltimit të drejtuesve të shëndetësisë amerikane ndaj kompanisë që ka prodhuar këtë bar. Për herë të parë në historinë e Amerikës, Komisioni i Financës i Senatit i ka shkruar letër John Martin-it, bosit të firmës farmaceutike, për të shprehur "preokupim dhe shqetësim", për më tepër kur vetëm një tabletë e këtij bari, që në Amerike kushton një mijë dollarë, në Egjipt kushton vetëm 11 dollarë. "Nëse paska mundësi që ky bar mund të shitet edhe me një çmim të tillë, atëherë përse amerikanët duhet të paguajnë mijëra herë më shumë?", ironizojnë amerikanët. "Llogarisni vlerën e shërimit dhe do t'ju rezultojë që çmimi është i ulët, sidomos kur mendon se shërohet një sëmundje kronike që kushton miliona dollarë po të llogarisni shpenzimet për komplikacionet", përgjigjet kompania. "E dimë, por, edhe kjo ka një masë". Pikërisht këtu qëndron dilema. Kush e përcakton masën? Vetëm në 12 javët e para, firma "Gilead" ka arkëtuar tashmë rreth 6 miliardë dollarë. A nuk duket pak si shumë, edhe për një mrekulli? Aspak, do të përgjigjej në një rast të tillë Carl Schmitt. Ashtu si në estetikë ku e bukura profilohet në të shëmtuarën, në farmaceutikë çdo identitet lind në kontrast me identitetin e tjetrit, pra është cilësia ajo që e profilon çmimin. Panorama e përmasave të kësaj sëmundjeje gjithnjë në rritje, reagimi i Senatit Amerikan, çmimi ekstremisht i lartë e një bari që e bën gati të pamundur trajtimin e të gjithë të sëmurëve nga çmimi i lartë i barit në Amerike, na nxiti të navigojmë në raportet e tregjeve europiane me këtë medikament që do të ishte një mrekulli edhe për të sëmurët tanë. Mendoni, vetëm për tre muaj mjekim, 90% e të sëmurëve të trajtuar shërohen plotësisht! Pacientët tanë në dializë, aktualisht qindra, së shpejti mijëra, nuk bëjnë dot transplantim të veshkave se i pengon Hepatiti C, bashkudhëtar i shpeshtë i jetës së këtyre të sëmurëve. Gjithsesi, ky fakt është një pikë uji në raport me problemet që kanë specialistët e sëmundjeve të mëlçisë me Hepatitin C. Eminencat e politikave shëndetësore europiane kanë filluar të lëvizin në gjetjen e rrugëve dhe mënyrave për ta pasur ketë medikament. Me sa munda të ndiej nga vëzhgimi në sitet e tyre "përflitet" për një koalicion të përbashkët ndaj problemit financiar të këtij bari me efekte të shkëlqyera. Të shpresojmë të arrihet në një qëndrim të përbashkët; mirë për ta dhe mirë për ne. Drejtuesit e sistemit mjekësor britanik, pasi morën OK nga qendra ekselente "NICE" për kosto efektivitetin e barit, me në krye Ministrin e Shëndetësisë rritën ndjeshëm presionin ndaj firmës për çmimin e barit dhe arritën të realizojnë një ulje prej 30%. Gjithsesi, edhe ne duhet të lëvizim. Në akord, Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi duhet të përpiqen të kontaktojnë me kompaninë apo kompanitë në raste të tjera të ngjashme, pa ndrojtje e kompleks, pasi në lojë është interesi i të sëmurit. Ministria e Shëndetësisë ka kohë që e ka përqafuar këtë filozofi, edhe pse ka hasur vështirësi nga kompani vendase. Eksperienca e Senatit Amerikan dhe e vendeve të tjera të Europës duhet ta "obligojë" atë në gjetjen e rrugëve jo vetëm të kontaktit, por ndoshta edhe të presionit ndaj kompanisë apo kompanive në emër të shëndetit, natyrisht, bazuar në shina të qarta e të paracaktuara ligjore. Në filozofinë dhe pragmatizmin e mësipërm duket se na vjen në ndihme edhe "Financial Times", e cila, pak ditë më parë, shprehet: "Ndoshta ka ardhur momenti që industria e barnave, që megjithatë ka merita të mëdha, të vihet përballë përgjegjësisë pa kushte. Tregu i barnave të reja është një treg kompetitiv apo një kartel?"

Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>