tet252014
Timoma, sa e rralle aq edhe e rrezikshme
Ndonëse timoma klasifikohet si një ndër tumoret e rralla që shfaqet më shpesh në moshat 30 apo 40 vjeçare, nëse ka si bashkëshoqëruese sëmundjen autoimmune të miastenia gravis prognoza e tij nuk cilësohet si e mirë.
Timoma është një tumor jo i zakontë që e merr fillesën pikërisht nga qelizat e timusit. Përgjithësisht pas ndërhyrjes kirurgjikale ecuria është e mirë. Edhe në rastet e rralla kur malinjizohet, përgjigjet ndaj kimioterapisë janë mjaft pozitive. Zhvillimi i timomës kalon nëpër disa faza. Fillimisht ajo është e përqendruar brenda kapsulës së saj. Me shumëzimin e qelizave tumorale dhe zhvillimin e tumorit, indi timusit i kapërcen kufijtë e kapsulës dhe kalon në organet fqinjë (ezofagu, pleura, mushkëritë dhe përreth zemrës). Në fazën e fundit kur zhvillimi përparon, kemi përhapjen e qelizave tumorale nëpërmjet rrugëve limfatike, gjë e cila klinikisht manifestohet me shfaqjen e limfonodujve aksilarë, inguinalë, cervikalë, etj. Në këtë fazë kemi përhapjen e qelizave tumorale edhe nëpërmjet rrugëve hematogjene ku metastazat e kapërcejnë kafazin e kraharorit dhe mund të vendosen kudo. Sigurisht që kjo sëmundje autoimmune në pjesën më të madhe të rasteve ka si terapi kryesore heqjen kirurgjikale të timusit dhe më pas në varësi të stadit (pas ekzaminimit të biopsisë) kimioterapinë. Por, nëse diagnostikohet në kohë, nuk shoqërohet me pasoja të rënda për shëndetin. Lidhur me ato raste që bashkëshoqërohen me miastenia gravis rëndësi të madhe përveç kimioterapisë ka edhe marrja e barnave si neostigminë, piridostigmonë të cilat janë inhibitorë të acetilkolinëesterazës. Gjithashtu imunosupresorët edhe fizioterapia muskulare, trajnimi i lëvizshmërisë së diafragmës për të përmirësuar tonusin dhe lëvizshmërinë e muskujve interkostalë luajnë rol pozitiv në trajtimin e sëmundjes. Përgjithësisht ecuritë pas ndërhyrjes kirurgjikale janë të mira dhe pacientët i rikthehen jetës normale.
Autoimmune Dis, 2011; 2011:474512