nën112014
Rritet me 6% buxheti i Shëndetësisë për vitin 2015
Shëndetësia do të ketë në dispozicion gjatë vitit 2015 rreth 2.3 miliardë lekë më shumë se një vit më parë. Buxheti i shëndetësisë për vitin 2015 është parashikuar të rritet me 6% më shumë se në vitin 2014.
Në total ky buxhet do të jetë 41.23 miliardë lekë ose 410 milion dollarë aq sa 2.8 e produktit të brendshëm bruto. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka spieguar në mungesë të deputetëve të opozitës në Komisionin e Shëndetësisë projekt buxhetin e parashikuar për sektorin që ai drejton. Sipas ministrit të Shëndetësisë Beqaj është viti i parë që buxheti i shëndetësisë kalon mbi 400 milion dollarë.
"Investimet me financim të brendshëm janë në nivelin e vitit 2014 .Programi i shëndetit publik do të marrë një vëmendje të vecantë. Ai do të financohet me 2.7 miliardë lekë duke patur një shtesë nominale me 189 milion lekë më shumë se në vitin 2014. Kujdesi parësor do të financohet me 18.2 milardë lekë me një shtesë nominale prej rreth 1 miliardë lekë ", detajoi ministri i Shëndetësisë duke sqaruar me rradhë se si do të përdoren fondet e parashikuara për shëndetësinë. Deputetët shprehën shqetësim se projektbuxheti i mbërritur para tyre nga qeveria nuk ishte ilustruara me tabelat përkatëse. Deputeti i LSI Petrit Vasili kërkoi që kjo të mundësohej për ta nga ministria e ekonomisë ndërkohë që e vlerësoi si modeste rritjen e parashikuar për shëndetësinë për këtë vit ." Ky është buxheti më i mirë dhe i rritur brenda arsyës që ne mund të kërkonim,duke u nisur nga vështirësitë në të cilat ndodhet qeveria. Ne sigurisht që do të donim më shumë për këtë sektor që ka akumuluar problematikë me vite me radhë " , u shpreh Vasili.
Me projektbuxhetin e paraqitur para deputetëve të mazhorancës është parashikuar rritje në fondet e planifikuara për programet e shëndetit publik, kujdesit parësor për të cilin do të ketë rreth 1 miliard lekë shtesë pasi këtë vit do të fillojë dhe check -up për moshën 40- 65 vjeç. Po kështu për vitin 2015 është parashikuar rritje e fondit për barnat e rimbursueshme me gati 570 milion lekë . Projektbuxheti i Shëndetësisë do të diskutohet nen për nen në Komisionin e Shëndetësisë dhe cështjeve sociale në 24 nëntor.
Përgatiti: Alma Demiraj