shk132015
Dr.Shk. Ridvan Alimehmeti: Paraliza e pleksit brakial në lindje si dhe indikacionet neurokirurgjikale
Me paralizë të pleksit brakial në lindje kuptojmë konstatimin në lindje të deficitit neurologjik në nivel të pleksit brakial. Megjithë përpjekjet për të ulur përqindjet e hasjes së PLPB, vërehet mbetje në nivel 1-5 fëmijë në 1000 të lindur gjallë edhe në vende të zhvilluara. Ajo që ne si mjekë dëshirojmë të arrijmë është sensibilizimi dhe përditësimi i komunitetit mjekësor për stadin aktual të trajtimit kirurgjikal të paralizës së pleksit brakial në lindje (PLPB) në botë dhe brenda vendit. Eksperienca e fituar prej vitit 1997 e në vazhdim ka lejuar përmirësimin e teknikave dhe arritjen e kryerjes me standartet bashkëkohore të interventeve mbi pleksin brakial në fëmijët me PLPB. Në 15 rastet e operuara me metoda mikrokirurgjikale është përfituar përmirësim i gjendjes neurologjike.
Koha e ndërhyrjes mbi pleksin brakial në fëmijët brenda vitit të parë të jetës mbetet periudha me rezultatin më të lartë. Me kalimin e këtij afati kohor ulet përqindja e përfitimit nga mikrokirurgjia riparuese e pleksit brakial, por mbeten alternativat e ndërhyrjeve paliative ortopedike, prandaj është e rëndësishme që këto problematika të evidentohen në kohë, dhe të mos lihen pas dore nga mjekët.
Të parët që vijnë në kontakt me fëmijën janë obstetër-gjinekologët dhe mjekët pediatër. Ata duhet të jetë personat që të adresojnë pacientin drejt neuro-kirurgut për t'u këshilluar mbi mundësitë e mëtejshme të trajtimit si dhe ecurinë klinike të fëmijës.
Prandaj, roli dhe bashkëpunimi i gjithë komunitetit mjekësor: obstetër, neonatologë, pediatër, mjekë familje dhe prindërve është thelbësor në diagnostikimin dhe drejtimin e hershëm për marrjen në kohë të trajtimit të specializuar për një rezultat sa më të mirë përfundimtar në rastin e PLPB.
Në fëmijët që nuk rikuperojnë spontanisht procedurat kirurgjikale riparuese mbi pleksin brakial synojnë rivendosjen e vazhdimësisë anatomike të trungje nervore të dëmtuara duke kontribuar në rikthimin e funksionit neurologjik. Këto procedura neurokirurgjikale mbi pleksin brakial dhe nervat periferikë kryhen pranë Shërbimit të Neurokirurgjisë, QSUT.
Duke klikuar këtu*do të merrni një informacion të detajuar mbi paralizën e pleksit brakial në lindje si dhe indikacionet neurokirurgjikale.
Dr.Shk. Ridvan Alimehmeti