pri172015
Asnjë mjek, farmacist apo stomatolog nuk do të lërë vendin e punës për mungesë kreditesh para zgjedhjeve të 21 qershorit. Entela Shehu: Shtyhet afati
16 prilli ishte dita kur 226 mjekë të cilët kishin 0 kredite duhet të lironin vendin e tyre të punës, por kjo nuk ndodhi. E njëjta gjë për 398 stomatologë dhe 104 farmacistë të cilët nuk kishin marrë asnjë kredit në afatin e përcaktuar. Të gjithë këta profesionistë do të vazhdojnë të qëndrojnë në vendin e tyre të punës, pasi sipas kreut të QKEV-së, zj.Entela Shehu, është shtyrë afati për shpalljen e vendeve te tyre të punës vakant. "Të gjithë mjekët, stomatologët, farmacistët të cilët kanë 0 kredite ose nuk i kanë plotësuar ato, mund të dorëzojnë ende dokumentet deri në fund të muajit prill. Rezultatet tona mund të përmbysen, pasi afati i dorëzimit të dokumenteve të tyre ishte 31 dhjetori dhe tanimë kanë kaluar mbi tre muaj. Ndërkohë, shumë prej këtyre profesionistëve nuk e morën seriozisht procesin e vlerësimit të krediteve dhe nuk u paraqitën pranë QKEV-së, ndaj mund të kemi një përmbysje të rezultatit, shprehet zj.Shehu teksa shpjegon se situata do të ndryshojë.
QKEV do të presë dokumentacionin e mjekëve apo dhe farmacistëve dhe stomatologëve deri në 30 prill. Menjëherë pas dorëzimit të dokumentacionit, QKEV do të rinisë nga puna për përpunimin e të dhënave. Në procesin e parë u nevojitën gati 3 muaj, kështu që shpallja e rezultateve të reja dhe përfundimtare mendohet të jetë pas zgjedhjeve vendore. Zj Shehu thotë se në 10 maj përpunimi i dokumentacionit duhet të ketë përfunduar dhe u duhet dorëzuar urdhrave përkatës, të cilët kanë të drejtë që në rast se do të ketë profesionistë me 0 kredite do iu pezullohet licenca e ushtrimit të profesionit. Përgatiti: Alma Demiraj