sht42015
Urdhri i MSH: Në 27 shtator testimi për infermierët e qendrave shëndetësore
27 shtatori shënon edhe fazën e fundit të testimit të aftësive praktike të personelit infermieror në vend. Në këtë datë infermierët e qendrave shëndetësore në Tiranë dhe rrethe do të japin provimin që më parë e kanë dhënë infermierët e spitaleve universitare dhe atyre rajonale. Ndërkaq sot dhe nesër testohen infermierët e spitaleve bashkiake.
Vlerësimi i infermierëve që punojnë në sistemin shëndetësor publik, shërbimin spitalor universitar, rajonal dhe atë parësor do të zhvillohet një herë në 2 vjet. E njëjta rregullore saktëson se infermierët që për arsye të rëndësishme nuk marrin dot pjesë në provim në datën e caktuar, do të kenë mundësi ta japin atë brenda 30 ditëve pasuese.
Urdhri për zhvillimin e testimit, i firmosur nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, përmend edhe tri kategoritë që përjashtohen nga testimi. Kështu nuk do të marrin pjesë në të infermieret e lindura para 1 janarit 1958 dhe infermierët me vit-lindjeje më të hershme se 1 janari 1953, e po ashtu edhe të gjithë infermierët që ka kanë marrë lejen e ushtrimit të profesionit mbas datës 1 janar 2014.
Gjithsej rreth 13 mijë infermierë i nënshtrohen vlerësimit të njohurive të parashikuara në Paketën Bazë të Kujdesit Shëndetësor Parësor e që është pjesë e programit të ri të ricertifikimit, i nisur më 1 janar 2015 me një afat 5-vjeçar.