sht222015
Inspektorati Sanitar Shtetëror kontrollon të gjitha klinikat spitalore dhe dentare për mbetjet spitalore. Gjobë ndaj dy kompanive të licencuara
Shumë klinika dentare dhe shëndetësore nuk e respektojnë ligjin për grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve spitalore, sipas të cilit duhet të kenë kontratë me një subjekt të licencuar për këtë qëllim. Në treg janë të licencuara vetëm dy kompani për evadimin e mbetjeve spitalore të cilat konkurrojnë fort ndërmjet njëra-tjetrës. Por Inspektorati Sanitar Shtetëror gjatë një inspektimi të kryer ka konstatuar se shpesh këto kompani nuk respektojnë kontratat e lidhura për të tërhequr mbetjet spitalore. Sipas kreut të Inspektoratit Sanitar Shtetëror, zotit Eltar Deda, ndaj dy kompanive të licencuara janë marrë masa administrative.
"Këto dy firma janë gjobitur me 500 mijë lekë dhe 1 milion lekë si dhe njëra prej tyre është pezulluar përkohësisht vetëm për faktin se lidhnin kontrata me subjektet që prodhojnë mbetje spitalore dhe nuk ua tërhiqnin ato, duke mos iu përgjigjur në mënyrë korrekte kontratës që kishin që kishin lidhur", shprehet z.Deda.
Mbetjet spitalore vazhdojnë të jenë një risk serioz për qytetarët, pasi sipas raportit të Inspektoratit Sanitar Shtetëror janë mbi 50 klinika dentare, qendra shëndetësore të cilat nuk kanë kontrata me subjektet e licencuara për përpunimin e tyre. Në mungesë të kontratës, ata i groposin mbetjet spitalore ose i hedhin në kazanë të mbetjeve urbane. Nga raporti i Inspektoratit Sanitar Shtetëror rezulton se nga 35 spitale të inspektuara në të gjithë vendin, 4 prej tyre nuk kishin kontratë për grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve spitalore. Nga 81 qendra shëndetësore 36 nuk kishin lidhur kontratë me subjektet e licencuara dhe nga 216 klinika stomatologjike 158 nuk kishin lidhur kontratë për përpunimin e mbetjeve spitalore.
Sipas kryeinspektorit Deda këtë muaj, Inspektorati Sanitar Shtetëror në bashkëpunim me atë të Mjedisit do të zhvillojnë një tjetër kontroll ndaj subjekteve që prodhojnë mbetje spitalore për të parë respektimin e detyrimeve që u janë lënë nga kontrolli i para pak kohëve.
Përgatiti: Alma Demiraj