tet202015
Specializimet në mjekësi, në 6 nëntor intervistat me gojë dhe 9 nëntor testimi
Kandidatët që do të aplikojnë për një nga programet e specializimit 2015-2016 kanë kohë deri më 26 tetor për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm pranë Universitetit të Mjekësisë. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, të drejtën për të aplikuar e kanë kandidatët që kanë përmbyllur me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë "Master i Shkencave", si dhe kanë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit në vendin tonë. Këtë të drejtë e kanë edhe ata që janë diplomuar jashtë vendit në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë "Master i Shkencave" dhe kanë kryer njësimin e diplomës pranë MAS.
Kandidati duhet të paraqitet personalisht për dorëzimin e dokumentacionit që konsiston në: *formularin e aplikimit; *një letër motivimi; *fotokopje e kartës së identitetit ose pasaportës; *kopje e njësuar me origjinalin e diplomës universitare, të programit "Bachelor" si dhe të ciklit të dytë "Master i Shkencave", ose të programit të integruar të studimeve të ciklit të dytë, dhe listës së notave. Për rastet e diplomave të huaja paraqitet kopje e njësuar me origjinalin e vërtetimit të njohjes në Republikën e Shqipërisë, e shoqëruar me diplomën/diplomat dhe listat përkatëse të notave; *kopje e njësuar me origjinalin e dokumentit që vërteton njohjen e gjuhës së huaj; *fotokopje e noterizuar e licencës për ushtrimin e profesionit në Republikën e Shqipërisë dhe e dëshmisë së regjistrimit në Urdhrin profesional përkatës; *dëshmi penaliteti e vlefshme; *mandat pagesa për tarifën e konkurrimit prej 5.000 lekësh; *dy foto personale; *kandidatët që aplikojnë për kuotat e Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, dorëzojnë një letër mbështetëse për ministrinë përkatëse.
Në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit saktësohet gjithashtu se konkurrimi fillon më datë 6 nëntor me intervistimet me gojë. Brenda 2 ditësh dekanati shpall rezultatet përfundimtare të intervistës në faqen online të UMT-së si dhe i afishon në ambientet e fakultetit. Ndërsa testimi i informatizuar zhvillohet në datën 9 nëntor 2015 në Agjencinë Kombëtare të Provimeve (AKP).
Siç është përcaktuar edhe më parë kuotat për specializimet janë 97 dhe brenda datës 27 tetor 2015 dekanati do të shpallë në faqen online të UMT-së listën emërore të kandidatëve të regjistruar për konkurrim. Këta brenda 2 ditëve nga shpallja, verifikojnë listën emërore dhe në rast pasaktësish dhe deri më datë 29 tetor bëjnë kërkesë për saktësim pranë dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë.
Klikoni këtu për të lexuar udhëzimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për specializimet.