shk52016
Provimi i Shtetit për profesionet e mjekësisë, AKP nxjerr datat e reja
Provimi i Shtetit për profesionistët e rinj të shëndetësisë ishte shtyrë dy herë brenda dy muajve të fundit me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Arsimit, por sot Agjencia Kombëtare e Provimeve ka publikuar datat përfundimtare për kryerjen e tij. Kështu për kandidatët e degës së mjekësisë provimi do të organizohet në datë 10 shkurt, për fizioterapistët në dt. 17 shkurt, për mamitë dhe imazheristët në dt. 18 shkurt, për teknikët e laboratorit dhe logopedët më 19 shkurt, ndërsa për shkak të numrit të madh, infermierët do ta japin provimin mes datave 22 shkurt - 1 mars (klikoni këtu për të parë oraret).
Rregullat që duhet të kenë parasysh pjesëmarrësit në provim janë si më poshtë:
1. Të paraqiten 30 minuta para fillimit të provimit
2. Të kenë me vete kartë identiteti ose pasaportë
3. Të kenë me vete faturën e pagesës së tarifës për Provimin e Shtetit për llogari të AKP-së sipas herës së pjesëmarrjes në provim
4. Në rast ndryshimi të mbiemrit, kandidati duhet të paraqesë certifikatën që vërteton këtë ndryshim.
Agjencia Kombëtare e Provimeve ka vënë në dispozicion në faqen e saj online edhe programin orientues dhe fondin e pyetjeve. Gjithashtu ajo ka publikuar edhe listën me 140 mjekët e rinj që do t'i nënshtrohen provimit të shtetit./D.GJ.