shk82016
Dita Ndërkombëtare e Epilepsisë. Prof. Jera Kruja: Diagnostikimi i hershëm shumëfishon mundësitë për shërim përfundimtar të pacientëve
Shënohet sot Dita Ndërkombëtare e Epilepsisë, një ndër sëmundjet neurologjike më të përhapura në botë. Fjala epilepsi (nga greqishtja eπιλαµβaνeιν, "të kapesh në befasi") tregon një gjendje kronike të kushtëzuar nga një "shkarkim elektrik" i papritur i qelizave nervore të korteksit cerebral, të pajisura me një transmetim elektrokimik të impulseve.
E rrethuar nga një mur paragjykimesh, që shpesh i shtyn pacientët të fshehin sëmundjen dhe të kenë vështirësi në përshtatjen sociale e psikike, epilepsia është ende pak e njohur dhe e stigmatizuar mes njerëzve. Një fëmijë epileptik shpesh konsiderohet i vonuar, por historia na tregon për epileptikë të pajisur me një mendje gjeniale, të tillë si Aleksandri i Madh, Napoleoni apo Dostojevskij. Epilepsia, në fakt, nuk cenon aftësitë intelektuale, as rendimentin në jetën praktike. Përdorimi i përditshëm i barnave, një dietë e veçantë, implantimi i një neurostimuluesi ose një ndërhyrje neurokirurgjike janë aktualisht kurat ndaj të cilave mund të nënshtrohen këta pacientë. Objektivi kryesor i specialistëve është që t'i bëjnë epileptikët të kuptojnë se në të shumtën e rasteve, ata mund të bëjnë një jetë normale në shkollë, punë, sport, raportet sociale dhe në jetën në çift.
Dita Ndërkombëtare e Epilepsisë këtë vit është veçanërisht e rëndësishme sepse shënohet një vit pasi Asambleja Botërore e Shëndetësisë miratoi rezolutën e saj mbi epilepsinë. Kjo rezolutë është një deklaratë e përbashkët mbi epilepsinë e të gjitha vendeve anëtare, që e vendos sëmundjen si prioritet në kujdesin shëndetësor të secilit shtet. Lega shqiptare Kundër Epilepsisë, e drejtuar nga prof. Jera Kruja është aktivizuar në mbështetje të kësaj rezolute, e cila parashikon strategji për të siguruar një legjislaturë të përshtatshme si garante e të drejtave të njeriut për personat me epilepsi dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre.
Sipas një studimi "door to door", të drejtuar nga prof. Kruja dhe kolegët e saj në dy komunitete shqiptare (për një total prej 10 mijë banorësh) dhe të publikuar në revistën "Neuroepidemiology", në vitin 2012, prevalenca e krizave ishte 1.5% për 100 banorë. "Në Qendrën Spitalore Nënë Tereza funksionon punkti i epilepsisë, pikë ambulatoriale ku kemi ndjekur në mënyrë periodike mbi 10.000 pacientë me epilepsi. Rreth 60% e personave që janë diagnostikuar me këtë sëmundje në fazat e hershme të saj, kanë arritur shërimin përfundimtar me anë të zbatimit adekuat të protokolleve të trajtimit", shprehet. znj.Kruja.
• Epilepsia mbetet ende një sëmundje e fshehur dhe e stigmatizuar
• Është e trajtueshme, e megjithatë 40% e personave me epilepsi edhe në vende të pasura nuk marrin trajtimin e duhur. Mbi 70% e atyre që jetojnë në vende me të ardhura të ulëta nuk kanë akses në kurat që merren rregullisht për epilepsinë.
• Mungesa e trajtimit ka impakt të madh financiar në sistemin kombëtar shëndetësor të shteteve
• Kërkimet dhe legjislacioni mbeten çështjet kyçe në përmirësimin e cilësisë së jetës të personave me epilepsi.
Përgatiti: Dorina Gjuzi