Mjekësi e përgjithshme

mar182024

Lancet- OBSH: Sëmundjet neurologjike, shkaku kryesor i sëmundjeve dhe paaftësisë në botë

Një studim i rëndësishëm  i publikuar nga The Lancet Technology dhe OBSH, zbuloi se në vitin 2021 më shumë se 3 miliardë individë në botë vuanin nga një sëmundje neurologjike. Pra, 1 në 3 individë.

Studimi analizoi humbjen e shëndetit të sistemit nervor, të shkaktuar nga 37 sëmundje neurologjike dhe faktorët e rrezikut të lidhur me të, në nivel botëror, rajonal dhe kombëtar për vitet 1990-2021.

Sëmundjet neurologjike janë vërtetuar si shkaku kryesor i sëmundjes dhe paaftësisë në botë. Përqindja e përgjithshme e paaftësisë, e sëmundjeve dhe e vdekjeve të parakohshme, e shkaktuar nga sëmundjet neurologjike është rritur me 18% që nga viti 1990.

Dhjetë sëmundjet neurologjike kryesore që kontribuojnë në humbjen e shëndetit janë:  iktusi, encefalopatia neonatale (lezion cerebral), migrena, demenca, neuropatia diabetike (lezion nervor), meningjiti, epilepsia, ndërlikimet neurologjike nga lindja e parakohshme, çrregullimi i spektrit autik dhe tumoret e sistemit nervor.

Që prej vitit 1990,  është rritur numri absolut i individëve që jetojnë me sëmundje neurologjike, apo që vdesin për shkak të tyre, ndërsa janë ulur normat  e viteve të jetës të korrigjuara nga paaftësia (DALY) të standardizuara sipas moshës. Kjo nënkupton se rritjet e numrave absolutë përcaktohen kryesisht nga ndryshimet demografike dhe nga jetëgjatësia më e madhe e individëve.
Në përgjithësi, sëmundjet neurologjike shkaktojnë më shumë paaftësi dhe humbje të shëndetit te meshkujt, sesa te femrat, por ekzistojnë disa sëmundje, të tilla si migrena ose demenca, të cilat prekin më shumë gratë. Sëmundja me rritje më të shpejtë është neuropatia diabetike, duke u trefishuar në vitet 1990-2021. Sëmundje të tjera, si ndërlikimet neurologjike nga covid-19 (p.sh. komprimimi konjitiv dhe sindromi Guillain-Barré), pothuajse nuk ekzistonin dhe tashmë përbëjnë më shumë 23 milionë të rasteve.

Më shumë se 80% e humbjeve të shëndetit dhe vdekjeve neurologjike  konstatohen në vendet me të ardhura të ulëta-mesatare, ndërsa qasja ndaj trajtimeve ndryshon gjerësisht. Vendet me të ardhura të larta kanë deri në 70 herë më shumë neurologë për 100.000 individë, krahasuar me vendet me të ardhura të ulëta-mesatare.

Në të njëjtën kohë, ngarkesa neurologjike dhe humbja e shëndetit për shkak të sëmundjeve të tjera janë reduktuar me 25% e lart që nga viti 1990, falë përmirësimit të parandalimit (përfshirë edhe vaksinat), asistencës dhe kërkimit: tetanozi, tërbimi, meningjiti, defektet e tubit neural, iktusi, neurocisticerkoza (infeksion parazitar që prek sistemin nervor qendror), encefaliti (inflamacion i trurit) dhe encefalopatia neonatale (lezione cerebrale).

Studimi analizoi edhe 20 faktorë rreziku të ndryshueshëm për sëmundje që mund të parashikohen, të tilla si iktusi, demenca dhe paaftësia intelektuale idiopatike. Eliminimi i faktorëve kryesorë të rrezikut (sidomos  tensioni i lartë arterial sistolik dhe ndotja e ajrit mjedisor dhe shtëpiak) mund të parandalojë deri në 84% shkaktimin e DALY-ve nga iktusi. Po ashtu, parandalimi i ekspozimit ndaj plumbit mund të reduktojë ngarkesën e vonesës mendore idiopatike me 63.1% dhe të reduktojë nivelet e larta të glukozës plazmatike në gjendjen esëll dhe ngarkesën e demencës me 14.6%. Tymosja kontribuon dukshëm në rrezikun për iktus, demencë  dhe sklerozë të shumëfishtë.

Sëmundjet neurologjike u shkaktojnë vuajtje të mëdha individëve dhe familjeve që preken nga to. Ky studim duhet të merret si një apel urgjent për të përforcuar masat e ndërmarra, që individët e prekur nga sëmundjet neurologjike të kenë akses ndaj terapive, trajtimeve dhe rehabilitimeve cilësore që ata kanë nevojë. Tashmë, është akoma më e rëndësishme që shëndeti i trurit të vlerësohet dhe të mbrohet, që nga fëmijëria e deri në moshë madhore.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>