News

sht122016

Dënohen për mashtrim krerët e kompanisë më të madhe farmaceutike në Itali

Kompania më e madhe farmaceutike italiane "Menarini" me bazë në Firenze, duket se fuqizimin në 30 vitet e fundit (1984 - 2010) e ka arritur nëpërmjet një mashtrimi kolosal në dëm të Sistemit Shëndetësor Kombëtar. Sipas Prokurorisë italiane ajo ka përdorur kompani të huaja fiktive për blerjen e principeve aktive, duke rritur çmimin përfundimtar të tyre në sajë të një sërë faturimesh të rreme. Shteti italian ka rimbursuar kështu barna me çmime të rritura artificialisht duke humbur 860 milionë euro.

Si rrjedhojë janë dënuar presidentja e kompanisë, Lucia Aleotti, me 10 vjet e 6 muaj burg për riciklim, mashtrimi fiskal dhe korrupsion dhe me 7 vjet e 6 muaj zv/presidenti (i vëllai),  Giovanni Aleotti. Gjithashtu është urdhëruar konfiskimi i 1 miliard eurove nga llogaritë e familjes.

Paratë e fituara nga mashtrimi, familja Aleotti, pronare e kompanisë "Menarini" i ka ricikliuar jashtë Italisë bashkë me të ardhura të tjera të paligjshme të grumbulluara falë korrupsionit dhe evazionit për një total prej 1.2 miliard eurosh.

Janë dokumentuar edhe presionet që familja Aleotti ka ushtruar mbi eksponentë politikë për të kundërshtuar veprimtarinë e disa Rajoneve  që në 2009-n ishin shprehur në favor të barnave gjenerike. Por për këtë aktivitet Prokuroria nuk ka ngritur asnjë implikim penal.
Në procesin që zgjati 2 vjet janë dënuar në shkallën e parë drejtuesit e kompanisë të akuzuar për riciklim, evazion fiskal dhe korrupsion, por mes tyre mungon ai që prokurorët e kanë konsideruar si "arkitektin" e mashtrimit kolosal, ish-pronarin, Alberto Aleotti, i cili ndërroi jetë dy vjet më parë.

Ai që i dha zanafillë hetimit ishte zbulimi i një llogarie sekrete në një bankë të Lihtenshtajnit prej 476 milionë eurosh, e cila në 2008-n figuronte në emrin e patriarkut Alberto Aleotti, bashkëshortes Massimiliana Landini dhe fëmijëve  Lucia, Giovanni e Benedetta. Ndërkaq janë liruar nga akuzat të gjithë të pandehurit e tjerë në këtë proces, mes të cilëve edhe Massimiliana Landini.
 

 

Burimi: La Repubblica


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>