shk22017
Produktet kozmetike, mostra 6 muaj më parë se të hyjë në tregun shqiptar. Eltar Deda: Ligji domosdoshmëri
Çfarë parashikon ligji për produktet kozmetike?
Inspektorati Shëndetësor Shtetëror është institucioni përgjegjës që do të ndjekë në terren zbatimin e këtij ligji. U pa e nevojshme nga Ministria e Shëndetësisë që të miratohej ky ligj sipas direktivave të BE-së në mënyrë të atillë që çdo produkt kozmetik që futet në Shqipëri, që përdoret nga qytetarët, të jetë i garantuar në drejtim të cilësisë dhe mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve. Ky ligj konsiston në radhë të parë në disiplinimin e këtij tregu, pasi sot që flasim ky treg është i pakontrolluar nga ana jonë, thjesht si një produkt tregtar dhe një biznes i cili është i miratuar në QKL. Ndërsa nga momenti i miratimit të këtij ligji dhe miratimit të akteve nënligjore të cilat e bëjnë të zbatueshëm këtë ligj në terren, do të jetë Ministria e Shëndetësisë, do të jenë një sërë procedurash të cilat garantojnë cilësinë e këtyre produkteve kozmetike në tregun shqiptar. Këtu kam parasysh mënyrën e ekzaminimeve laboratorike përpara se sa ky produkt të futet në tregun shqiptar, mënyrën e etiketimit, pajisjen me etiketë në gjuhën shqipe të këtyre produkteve. Në të njëjtën kohë të jetë i deklaruar personi përgjegjës i cili i importon këto produkte dhe personi përgjegjës që do të jetë për shpërndarjen në tregun shqiptar. Po kështu, në fund fare klinikat dhe subjektet të cilat i përdorin këto produkte kozmetike do të jenë të evidentuara nga ana e Inspektoratit Shëndetësor Shtetëror.
Ju do të kontrolloni tanimë kushtet e çdo salloni bukurie dhe kushtet në të cilat aplikohen produktet kozmetike?
Ligji është në fazën që ka marrë miratimin nga ana e qeverisë dhe do të kalojë në parlament. Në parlament do të diskutohet nëpërmjet komisioneve përkatëse. Me një vendim qeverie të veçantë do të jenë të përcaktuara se kush do të jenë subjektet se kush do të jetë tagri i punës së Inspektoratit Shëndetësor. Por në ligj është përcaktuar se do të jetë çdo institucion tregtar që ka si bazë të tij punën me këto produkte kozmetike. Kam parasysh këtu edhe klinikat, të gjitha qendrat e masazhit, qendrat estetike, të cilat duhet të përmbushin një sërë kushtet të përcaktuar në këtë ligj.
A keni ju stafin e trajnuar për të njohur këto produkte kozmetike apo për të dalluar se çfarë nuk shkon në to?
Me miratimin e këtij ligji Inspektorati do të jetë pranë pikave kufitare, pranë pikave doganore, ku do të merret aprovimi nga ana e inspektorëve shëndetësorë, të cilët do të trajnohen. Në të njëjtën kohë këto produkte kozmetike do të shoqërohen me certifikatë sigurie, e cila do të vijë më parë se produkti kozmetik të ketë mbërritur në tregun shqiptar. Do të kryhen analiza në laboratorë të Institutit të Shëndetit Publik, në laboratorë të akredituar për të kryer këto analiza sepse analiza të thjeshta janë. Pra, çdo produkt duhet të kalojë më parë këtë fazë para hyrjes në treg dhe në momentin që do të ketë një certifikatë sigurie nga ana jonë, nga ana e një komisioni të posaçëm që do të ngrihet për këtë qëllim do të mundet që të futet në treg.
Sa muaj më parë do të duhet që një subjekt të deklarojë produktin e tij?
Në projektligjin që kemi hartuar ne është përcaktuar tre deri në gjashtë muaj, por kjo do të miratohet në kuvend. Mendojmë se është kohë reale qoftë për biznesin për të mos e penguar atë për të ushtruar aktivitetin e tij, por edhe për institucionet që do të duhet të bëjnë analizat apo kontrollin është kohë shumë e përshtatshme.
Çfarë ju shtyu për të hartuar një ligj të tillë?
Ishte i domosdoshëm hartimi i këtij ligji pasi është dhe një ndër direktivat kryesore të Bashkimit Evropian. Duhet theksuar se ne kemi kaluar edhe fazën e konsultimit me institucione të BE-së, por dhe në të njëjtin kohë edhe me grupet e interesit. Miratimi i këtij ligji ishte domosdoshmëri pasi i gjithë ky treg ka qenë i pakontrollueshëm. Dhe të gjitha këto produkte përdoren për qëllime humane. Kemi pasur shumë ankesa nga qytetarë të cilët kanë pësuar deformime të ndryshme, për shkak se u janë injektuar produkte kozmetike të një cilësie të dobët.
Alma Demiraj
Lexoni këtu projektligjin e miratuar në mbledhjen e qeverisë dt.25.01.2017