Focus

pri82024

Dita Botërore e Shëndetit. Qasja ndaj trajtimeve shëndetësore cilësore është e drejtë themelore e njeriut

"Tema e zgjedhur për Ditën Botërore të Shëndetit, e cila u festua më 7 prill ishte 'Shëndeti im, e Drejta ime', me anë të së cilës theksohet se qasja ndaj trajtimeve shëndetësore cilësore është e drejtë themelore", pohon komisionerja evropiane për shëndetin dhe sigurinë ushqimore, Stela Kyriakides.

"Vitet e fundit, pandemia Covid-19 e ka ndryshuar botën në mënyrë të pakthyeshme, duke i vënë në provë, deri në limit, shoqëritë tona, sistemet tona shëndetësore dhe BE-në. Në tërësi, BE e ka përballuar këtë sfidë dhe ka marrë mësim nga kjo përvojë, duke u forcuar akoma më shumë.

Reagimi ynë ndaj pandemisë ka demonstruar fuqinë e solidaritetit dhe të bashkëpunimit dhe rëndësinë e trajtimit të barabartë të të gjithë qytetarëve. Strategjia e paprecedentë e BE-së në lidhje me vaksinat, garantoi që të gjithë qytetarët e BE-së të kishin akses ndaj vaksinave të sigurta dhe efikase, në të njëjtin moment dhe në të njëjtat kushte.

Ne kemi konstatuar, që për një të ardhme më të sigurt dhe më të shëndetshme për çdo qytetar të BE-së, na duhen sisteme shëndetësore më të forta dhe të qëndrueshme, të gatshme për të përballuar sfidat e shekullit XXI.

BE për Shëndetin i bën sistemet tona shëndetësore edhe më të forta duke vënë në qendër të saj, pacientin. Propozimi ynë për një reformë historike të legjislacionit farmaceutik të BE-së do të garantojë qasjen e shpejtë ndaj barnave të aksesueshme për të gjithë qytetarët, duke mbështetur njëkohësisht një industri të begatë. Hapësira Evropiane e të Dhënave Shëndetësore do të krijojë mundësinë, që qytetarët, studiuesit dhe politikëbërësit ta shfrytëzojnë plotësisht potencialin e të dhënave shëndetësore digjitale në përfitim të pacientit. Plani Evropian për Kancerin është një nga planet më ambicioze dhe më të plota të veprimit kundër kancerit në botë, i cili mbështetet nga 4 miliardë financime të BE-së. Pas katër vitesh nga zbatimi i saj, është vënë re tashmë ndryshimi real për miliona pacientë onkologjikë, familje dhe kujdestarë. Qasja jonë Botërore mbi Shëndetin Mendor i ka vendosur shëndetin mendor dhe atë fizik në një plan barazie dhe po punon për zhdukjen e stigmës për çdo pacient që jeton duke përballuar sfida të shëndetit mendor.

Këto veprime nuk mund të kufizohen vetëm brenda BE-së dhe ne po investojmë 4.4 miliardë euro për fuqizimin e shëndetësisë në vendet partnere deri në vitin 2027, përmes Strategjisë Botërore për Shëndetësinë të BE-së, me qëllim garantimin e një shëndeti më të mirë për individët në të gjithë botën, duke nxitur mbulimin shëndetësor universal dhe duke mbështetur punën përmes një arkitekture shëndetësore botërore më të fortë. Një shëndet i mirë publik për çdo qytetar është vetë themeli i ekonomive të forta dhe shoqërisë në të gjithë botën.

Disa sondazhe tregojnë se shëndeti mbetet një nga prioritetet kryesore të qytetarëve evropianë. Së bashku me Bashkimin Evropian për Shëndetin, ne kemi një bazë të fortë për t'iu përgjigjur pritshmërive në vitet e ardhshme, duke maksimizuar potencialin e shteteve tona anëtare dhe duke i hapur rrugën një të ardhmeje  më të shëndetshme, më të qëndrueshme dhe më të barabartë", thotë ajo.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>