News

pri112017

Ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu: Në QSUT pajisje që nuk i kanë as spitalet private

Një pajisje diagnostikuese e teknologjisë më të fundit është instaluar në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Pajisja SPECT CT do të ndryshojë tërësisht mënyrën e ekzaminimit të tumoreve që në stade të hershme, duke rritur maksimalisht saktësinë e diagnozës për pacientët që vuajnë nga sëmundjet tumorale. Kjo pajisje do të përdoret edhe për diagnostikimin e një grupi sëmundjesh në shërbimin e Urologjisë, Neurologjisë, Kardiologjisë, Endokrinologjisë etj.

"Mbetet një ndër prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë shqiptare fuqizimi i spitaleve tona me pajisje të teknologjisë së lartë, të cilat ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë të shërbimeve mjekësore. Në fakt, vetëm për QSUT-në në këto katër vite janë investuar rreth 2.5 milionë euro në pajisje mjekësore dhe sot i shtohet gjithë flotës së pajisjeve bio-mjekësore kjo aparaturë e re, aparatura e Spect-CT, e cila është një aparaturë unikale, e teknologjisë së lartë, jo vetëm në spitalet tona publike, por dhe në ato private. Pra është e vetmja aparaturë sot në Shqipëri e cila, ndihmon në diagnostikimin e hershëm por gjithashtu dhe në ndjekjen e pacientëve mbas diagnostikimit"- u shpreh znj. Manastirliu, ministre e Shëndetësisë.

Pajisja SPEC-CT është pajisje diagnostikuese hibride, e cila përdor kombinimin e lëndëve radioaktive(quantet gama) dhe rrezatimin X për të marrë imazhet e organeve. Ndryshe nga diagnostikimet e deritanishme statike. Kjo pajisje kryen një diagnostikim dinamik të organeve, çka do të thotë që rrit cilësinë e diagnostikimit të tumoreve që në stadet e para, e për rrjedhojë, eficienca e trajtimit të sëmundjeve tumorale është më e lartë. Kjo pajisje përdoret në Urologji, Neurologji, Kardiologji, Endokrinologji dhe një ndihmesë të veçantë jep në Onkologjik, me kryerjen e ekzaminimit "all body", ku arrin të fraksionojë dhe stadifikojë diagnostikën e tumoreve dhe jep një informacion të saktë për trajtimin radioterapeutik të kryer. SPECT CT ka kushtuar 73.8 milionë lekë është mundësuar falë bashkëpunimit të projekteve të QSUT me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Kjo pajisje do t'i shërbejë rreth 1.500 pacientëve në vit, për diagnostikimin e saktë të sëmundjeve. Gjatë prezantimit të kësaj pajisje ishin të pranishëm shefat e shërbimeve, të Neurologjisë, Urologjisë, Kardiologjisë, Nefrologjisë dhe Interne.


Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>