dhj122017
UMSH-ja anëtarësohet në Këshillin Europian të Urdhrave të Mjekëve
Një lajm i mirë vjen nga Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë, i cili më 8 dhjetor 2017 u bë anëtari më i ri me të drejta të plota i Këshillit Europian të Urdhrave të Mjekëve (CEOM).
Në konferencën e CEOM-it, organizuar këtë vit në Paris, UMSH-ja u përfaqësua nga presidenti i tij, Dr. Fatmir Brahimaj, i cili e vlerësoi rëndësinë e këtij anëtarësimi si një hap përpara dhe shembull për përfshirjen e Shqipërisë në BE. "Ne, mjekët dimë të ofrojmë dhe të marrim nga njëri-tjetri gjithçka që është pozitive. Sot, nëpërmjet këtij shembulli, ju i dhatë një mësim edhe pjesës tjetër të shoqërisë, sidomos politikës, se me vullnet të mirë kapërcehen pengesat në bashkëpunimin midis nesh. Vendi im ka një ëndërr për të qenë pjesë e barabartë e Europës. Ky është një proces i vështirë që kërkon përpjekje, mund, por edhe kurajë për të mposhtur skeptikët. Arritja e sotme e Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë i frymëzon të gjitha institucionet e vendit tim duke u thënë: YES WE CAN", u shpreh Dr. Brahimaj gjatë fjalës së mbajtur në këtë event.
UMSH-ja prej vitesh ka patur rolin e vëzhguesit në këtë Këshill, i cili, me një votim unanim të anëtarëve, i ofroi mundësinë që këtej e tutje të përfitojë nga praktikat e bashkëpunimit me organizatat e tjera pjesëmarrëse, duke pasur të përbashkët:
· Etikat mjekësore dhe sjelljen profesionale;
· Lëvizjen e lirë të profesionistëve të kujdesit shëndetësor;
· Demografinë mjekësore;
· Rregullat mjekësore;
· Trajnimin profesional të mjekëve;
· Çështje të shëndetit publik që kanë lidhje me pikat e mësipërme.