shk22018
Urdhri i Mjekut: Këtë vit nuk tolerohet askush. Mjekët pa kredite, nuk licencohen!
Qendra e Edukimit në Vazhdim është duke përpiluar raportin përfundimtar me numrin e krediteve që kanë realizuar mjekët. Urdhri i Mjekut, i kontaktuar nga doktor33.al, thotë se ndonëse në ciklin e parë të Edukimit në Vazhdim pati edhe tolerancë, në ciklin e dytë, ligji do të respektohet në çdo pikë. Dr. Fatmir Ibrahimaj thekson se mjekët që nuk kanë kreditet, do t'i nënshtrohen provimit të shtetit.
"Kemi pasur raste kur mjekët kanë ardhur të rinovojnë licencën, por ua kemi refuzuar. U kemi thënë të përgatiten për provim, pasi nuk do të tolerohet askush, pa dallim", thekson Dr. Ibrahimaj.
Por, ajo që vihet re me shqetësim edhe në ciklin e dytë të Edukimit në Vazhdim është se ka ende mjekë që nuk e kanë marrë seriozisht dhe nuk kanë frekuentuar aktivitete shkencore për të përmbushur numrin e përcaktuar të krediteve. Madje, Ibrahimaj thekson se ka ende mjekë që kanë 0 kredite, ashtu sikurse ka nga ata që e kanë tejkaluar numrin e përcaktuar të krediteve.
Urdhri ende nuk ka të plotë raportin nga QKEV-ja, për të përcaktuar se sa mjekë duhet t'i nënshtrohen provimit.