shk212018
Kongresi i dermatologëve SHBA. Cilat janë terapitë novatore me bazë imunitare?
Së fundi, në takimin vjetor të Akademisë Amerikane të Dermatologjisë (AAD) janë prezantuar trajtime të ndryshme novatore të bazuara në rregullimin e sistemit imunitar. "Disa u drejtohen terapive imunologjike për të luftuar kancerin dhe të tjera për të kuruar sëmundje inflamatore. Pjesa më e madhe e studimeve klinike që janë prezantuar për të parën herë në këtë takim, kanë të bëjnë me patologjitë inflamatore", shpjegon Hensin Tsao (Universiteti Harvard në Masaçusets), i cili ka drejtuar sesionet që kishin të bënin me barnat inovative.
Panorama e të rejave, në fakt, është shumë e gjerë. Kërkuesit Abbvie kanë prezantuar dy studime të fazës 3 mbi risankizumab-in, që është vënë përballë ustekinumab-it (Stelara, Janssen Biotech) dhe placebos, për psoriazën me pllaka nga e moderuar në të rëndë. Risankizumab-i bllokon interleukinën (IL) 23, një citokinë çelës që është e lidhur me sëmundjet kronike të ndërmjetësuara nga imuniteti, siç është sëmundja e crohnit, artriti psoriazik dhe koliti ulçeroz. Është folur edhe për një tjetër frenues të IL23-shit për psoriazën me pllaka, guselkumab-in (Tremfya, Janssen Biotech), me të dhëna të efikasitetit afatgjatë, në studimin e fazës 3 VOYAGE 2.
Përsa i përket ustekinumab-it, Joel Gelfand (Universiteti i Pensilvanisë në Filadelfia), ka prezantuar të dhënat e studimit të kryqëzuar VIPU të fazës 4, që kishte të bënte me efektet e inflamacionit vaskular në psoriazë.
Vëmendja është kthyer edhe në temën e dermatitit atopik, për të cilin janë prezantuar rezultatet e një studimi të fazës 2b mbi upadacitinib-in te të rriturit me dermatit atopik nga i moderuar në të rëndë, i pakontrolluar me trajtime topike. Upadacitinib-i frenon në mënyrë të zgjedhur JAK1-shin, që luan rol në një tërësi çrregullimesh inflamatore të ndërmjetësuara nga imuniteti dhe aktualisht, është në studim për përdorim tek artriti reumatoid dhe tek artriti psoriazik, përveçse në sëmundjen e crohn-it, në kolitin ulçeroz dhe në spondilitin ankilozant.
Jonathan Silverberg (Universiteti Veriperëndimor i Çikagos) ka prezantuar në vend të kësaj një punim mbi të rriturit me dermatit atopik nga i moderuar në të rëndë me baricitinib, një bar që vepron mbi JAK1 dhe JAK2, në studim edhe për lupusin eritematoz sistemik dhe që do të shërbejë për të siguruar të dhëna të tjera për FDA-në, në mënyrë që ajo t'i përgjigjet pozitivisht një kërkese të re për aprovimin, pas mohimit të vitit të shkuar për indikacionin në fjalë (aprovimi nga EMA është bërë tashmë).
Graham Ogg (Universiteti Oksford i Mbretërisë së Bashkuar) ka ilustruar një studim të ri mbi dermatitin atopik, saktësisht mbi ANB020, një antitrup që frenon IL33-shin, një tjetër citokinë proinflamatore që vepron si ndërmjetësues qendror i sëmundjeve atopike, mes të cilave dermatiti atopik, alergjitë nga ushqimet dhe astma.
Yusuf Yazici (Universiteti i Nju Jorkut) ka folur edhe për rezultatet e studimit të fazës 3 mbi apremilast-in (Otezla, Celgene), një frenues i phosphodiesterase-s 4 që bën dobësimin e ndërmjetësuesve proinflamatorë dhe shton ndërmjetësuesit antiinflamatorë dhe që është aprovuar tashmë për artritin psoriazik, në sëmundjen behcet.
Takimi ka mbuluar një gamë të gjerë argumentesh dermatologjike, mes të cilave përdorimin e diskutueshëm të vitaminës D, diagnozat, efektet e padëshirueshme të lidhura me barnat kundër kancerit dhe përdorimin e udhëzimeve për psoriazën, aknen dhe dermatitet atopike.
American Academy of Dermatology - Annual Meeting 2018
https://www.aad.org/meetings/annual-meeting