tet302018
Rritet numri i aksidenteve vaskulare cerebrale. 40% e pacientëve mbeten të invalidizuar
Goditjet në tru apo ishemitë dhe hemorragjitë cerebrale, çdo ditë e më shumë po prekin shqiptarët dhe jo vetëm. Për këtë arsye, mjekët neurologë u bëjnë thirrje njerëzve të bëjnë kujdes dhe, që në shfaqjen e simptomave të para, siç janë mpirja e fytyrës, shtrembërimi i buzëve, mpirja e duarve e vështirësia në të folur, të paraqiten menjëherë te mjeku. Sipas mjekut neurolog, dr. Drini Dobi, është rritur diagnostikimi, ndaj kemi dhe raste të shtuara.
"Goditjet e trurit ndodhin për shkak të mosfunksionimit të trurit me gjak, mosfurnizimit me oksigjen. Rastet janë shtuar shumë dhe për më tepër, po preken edhe mosha të reja", shprehet dr. Dobi, i cili është anëtar i shoqatës së neurologëve.
Për mjekun Drini Dobi, goditjet në tru apo aksidentet vaskulare cerebrale janë shkaktarët kryesorë të vdekjes apo invalidizimit. Sipas statistikave, 40% e pacientëve të prekur nga ishemitë apo hemorragjitë cerebrale, mbeten të invalidizuar.
"Aksidentet vaskulare cerebrale lidhen shumë me tensionin arterial, me kolesterolin në gjak, si edhe me diabetin. Duhen mbajtur në kontroll këto sëmundje, në mënyrë që të parandalohen goditjet e trurit", shprehet dr. Drini Dobo.
Një analizë gjaku tregon shumë për shëndetin e njeriut, duke bërë që të parandalohen një sërë sëmundjesh, të cilat nëse nuk kapen në kohë, kanë kosto të lartë financiare, pa llogaritur më pas paralizat, deri edhe faktin se ato marrin jetë.
Në botë,
17 milionë njerëz në vit preken nga aksidentet vaskulare.
6. 6 milionë humbin jetën.
80 milionë mbeten invalidë.
26 milionë, i mbijetojnë goditjes në tru.
Alma Demiraj