jan112019
Fruth në Shqipëri. 9 raste të reja, vetëm në javën e parë të janarit
Në Shqipëri janë evidentuar raste të reja me fruth. Instituti i Shëndetit Publik ka konstatuar se vetëm në javën e parë të janarit janë diagnostikuar 9 raste të reja. Sipas shefes së Departamentit të Sëmundjeve Infektive, Silva Bino, Shqipëria renditet në vendin e gjashtë përsa i përket numrit të të prekurve.
"Nga janari 2018, deri në dhjetor 2018, në ISHP janë konfirmuar 1376 raste të prekura nga virusi i fruthit dhe vetëm në javën e parë të këtij viti, kemi 9 raste që kanë rezultuara pozitive", shprehet Bino.
Shtyrja në kohë e vaksinës MMR që u bëhet bebeve një vjeçe, apo refuzimi i saj nga prindërit ka bërë që në vendin tonë të ketë raste të shtuara me fruth, ndonëse jo në përmasat e një epidemie. Të prekurit rezultojnë nën moshën dy vjeç. Në këtë situatë, Instituti i Shëndetit Publik ka udhëzuar që vaksina MMR të bëhet qëkur bebet mbushin 9 muaj, pasi është vënë re një rënie e imunitetit që transmetohet nga nëna te bebja.
"Ne, në fakt, kemi udhëzuar të gjithë mjekët e konsultoreve që kjo vaksinë të nisë të aplikohet më herët, por nuk po respektohet prej tyre dhe në të shumtën e rasteve, nga vetë prindërit të cilët nuk ia bëjnë vaksinën fëmijës as në moshën një vjeç", shprehet Bino.
"Të gjitha rastet e reja të prekura janë nga Tirana dhe burimi i infeksionit mendohet të jetë Urgjenca e Qendrës Spitalore Universitare ku për shkak të virozëve, ka fluks fëmijësh", thekson dr. Bino.
Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive u bën thirrje prindërve të shmangin sa të mundin urgjencën e pediatrisë dhe të drejtohen te pediatri pranë qendrës shëndetësore, në mënyrë që bebet e tyre të mos bien në kontakt me virusin e fruthit. Nga ana tjetër, kërkohet vaksinimi kundër fruthit dhe në të gjitha institucionet arsimore, si: çerdhe e kopshte, është kërkuar të mos pranohet asnjë fëmijë që nuk ka bërë vaksinat.
Alma Demiraj