jan182019
Tjetër mashtrim nëpërmjet skemës së rimbursimit. Arrestohen Petrit Skuraj dhe Gazmend Aliaj
Një grup farmacish dyshohet se ka abuzuar duke përfituar fonde nga shteti nëpërmjet skemës së rimbursimit. Bëhet fjalë për farmacitë "Bio Plus", "Medigreen" dhe "Geni&Lori". Këto farmaci kanë kontratë me FSDKSH-në për barnat që tregtojnë.
Rimbursimi i recetave mjekësore me fonde të shtetit është shfrytëzuar nga një grup mjekësh dhe farmacistësh për të siguruar të ardhura të paligjshme. Sipas hetimeve të kryera nga prokuroria, grupi funksiononte në mënyrë të mirëorganizuar. Mjekët lëshonin receta për persona të vdekur. Recetat bëheshin në ditën e vdekjes ose maksimumi një ditë pas vdekjes së personit. Këto receta ekzekutoheshin nga farmacistët dhe, vetëm për një recetë, vlera e rimbursimit shkonte deri në 30 mijë lekë të reja.
E gjithë kjo skemë ka funksionuar në Tiranë. Pronarët e tri farmacive kanë kryer procedurat e rimbursimit të të paktën 400 recetave për një periudhë kohore prej 3 muajsh, në vitin 2018.
Madje, hetimi ka zbuluar se janë lëshuar nga 2 deri në 5 herë receta për barna të rimbursueshme për të njëjtin person të vdekur. Të trija farmacitë janë pranë qendrave shëndetësore të lagjeve dhe bashkëpunimi në këtë skemë mashtrimi mes mjekëve dhe farmacistëve ka qenë shumë i ngushtë, pasi informacioni për vdekjen e personave merrej thuajse në kohë reale, për të përgatitur më pas recetat me barna të rimbursueshme, përpara se zyrat e gjendjes civile të lëshonin certifikatat e vdekjes.
Kjo skemë mashtrimi ka bashkëpunëtorët e saj edhe pranë FSDKSH-së, që realizonte rimbursimin për barna që nuk janë shitur kurrë. Dyshohet se shumat e përfituara nga kjo skemë mashtrimi mes mjekëve, farmacistëve dhe zyrtarëve të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, arrin në disa dhjetëra milionë lekë të reja.
Alma Demiraj