News

dhj172019

Mjekët e qendrave shëndetësore nuk do ta marrin shpërblimin e performancës. Në pikëpyetje, edhe paga e trembëdhjetë

Mjekët e qendrave shëndetësore nuk do ta marrin shpërblimin e performancës për vitin 2019. Në çdo fund viti, në bazë të vlerësimit të këshillit administrativ në lidhje me faktin se sa e kanë realizuar check up-in pacientët apo numrin e vizitave që kryejnë gjatë një viti, mjekët merrnin një shpërblim i cili varionte sipas performancës së gjithsecilit.

Sivjet, ata janë njoftuar zyrtarisht për shkak të tërmetit të 26 nëntorit ku janë pezulluara të gjitha shpërblimet e administratës shtetërore. Por një tjetër shqetësim që vjen nga radhët e mjekëve të qendrave shëndetësore është paga e 13-të, të cilën e kanë marrë çdo vit dhe që tanimë kanë mësuar se as atë nuk do të mund ta marrin.

Ky shqetësim i personelit mjekësor gumëzhin në të gjitha qendrat shëndetësore pasi që nga mjeku e deri tek infermieri e dinë se në bazë të kodit të punës, por edhe të kontratës që kanë firmosur me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, mjekët duhet të marrin në fund të vitit pagën e trembëdhjetë. Doktor33 u interesua pranë Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në lidhje me shqetësimin e mjekëve ku iu shpjegua se shpërblimi i performancës është ngrirë për shkak të tërmetit, por nuk ka një vendim se si do të veprohet në lidhje me pagën e trembëdhjetë të mjekëve, e cila është e shkruar e zeza në të bardhë në kontratën dypalëshe.

Mjekët thonë se edhe nëse u mbahet si kontribut për tërmetin të paktën të dinë cilën familje po ndihmojnë apo ku po shkon kontributi, por në asnjë mënyrë t'iu mbahet nga FSDKSH-ja.


Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>