dhj182020
Festat e fundvitit. Mjekët e familjes, në harresë. Sindikata e Mjekëve: Trajtim financiar për ta
Nëse mjekët të cilët trajtojnë pacientë me Covid, trajtohen me 1000 euro në muaj, për shkak të rrezikut që iu kanoset, mjekët e familjes të cilët, gjithashtu, po trajtojnë pacientë me Covid, janë po aq të riskuar dhe po punojnë orar pa orar, por janë lënë në harresë.
Këtë fund viti, jo vetëm që nuk u është thënë për shpërblim, por u është refuzuar edhe paga e 13-të, të cilën e kanë marrë çdo vit, me përjashtimi të një viti më parë, kur fondet shkuan për familjet e dëmtuara nga tërmeti. Përfaqësuesi i Sindikatës së Mjekëve, dr. Gent Stroni kërkon që të ketë një trajtim financiar në fund të këtij viti, edhe për mjekët e familjes, pasi kanë përballuar dhe vijojnë të kenë një ngarkesë shumë të madhe në këtë situatë të pandemisë së Covid-19, duke punuar orar pa orar me pacientë të prekur nga Covidi dhe ata me patologji të tjera.
"Jo vetëm pagën e 13-të, por mjekët e familjes duhet të kenë një trajtim financiar të shtuar pasi tanimë ata janë në vijë të parë në përballimin e pandemisë nga Covid-19. Mjekët po punojnë çdo orë, ditën edhe natën me pacientët. Na bie telefoni edhe në 12 të natës nga pacientë me Covid që trajtohen dhe mjekët janë on call (shënim i redaktorit: të kontaktueshëm në telefon për të ofruar shërbim profesional, edhe kur nuk janë zyrtarisht në detyrë), në çdo moment", u shpreh përfaqësuesi i Sindikatës së Mjekëve, dr. Gent Stroni.
Mjekët e familjes kanë marrë gjithmonë pagën e 13-të, si dhe një shpërblim në bazë të performancës që përllogaritej sipas numrit të vizitave mjekësore. Këtë vit nuk marrin as pagën e 13-të, as shpërblimin. Madje u janë refuzuar edhe orët e punës shtesë që kanë kryer gjatë të gjithë pandemisë.
Alma Demiraj