shk82019
Virusi AH1N1. Humbin jetën 4 vetë. Pneumologia: Drejtojuni mjekut që të shmangni pneumonitë
Regjistrohen 4 vetë që kanë humbur jetën në vendin tonë, për shkak se ishin prekur nga virusi i gripit AH1N1. Rasti më i fundit është një e moshuar 76-vjeçare nga Lushnja.
Sipas mjekes pneumologe, Silvana Bala, pacientët që kanë sëmundje të tjera bashkëshoqëruese, bëjnë komplikacione të rënda. "Zonja që erdhi një ditë më parë kishte diabet për të cilin nuk ishte në dijeni dhe vuante edhe nga hipertensioni. Ajo ka qëndruar vetëm 8 orë në reanimacionin e Sanatoriumit dhe më pas ndërroi jetë", u shpreh mjekja pneumologe e cila thekson se këtë vit, virusi nuk është aq agresiv sa në epideminë e parë.
Ndërkohë, në Sanatoriumin e Tiranës mbërrijnë çdo ditë 80 deri në 100 raste urgjente me simptoma të gripit. Në reanimacionin e këtij shërbimi, janë 10 raste në gjendje të rëndë shëndetësore, 3 prej të cilave, me frymëmarrje të komanduar.
Elbasani ka shfaqur deri më tani shumë raste të infektuara nga virusi AH1N1 dhe sipas mjekëve, atje ka një qarkullim intensiv të këtij virusi. Ata e lidhin këtë edhe nivelin e lartë të ndotjes, pasi njerëzit e prekur nga gripi, kanë shfaqur problemë të rënda pulmonare. Mjekët vijojnë të bëjnë apel që qytetarët janë ende në kohë për të bërë vaksinën antigrip dhe të shmangin vendet e mbipopulluara.
Alma Demiraj