shk112019
Mjekët e Infektivit në protestë. Prof. Dr. Arjan Harxhi: Na ofroni siguri në ambientet e punës
"Kërkojmë nga administrata e QSUT-së dhe ajo e Ministrisë së Shëndetësisë të bëjnë të mundur që i gjithë personeli mjekësor i Shërbimit Infektiv dhe sidomos ai i urgjencës, të kenë një ambient pune të qetë dhe të sigurt, ndërkohë që akti i mësipërm dhe shumë të tjerë tregojnë se kjo siguri mungon. Ambient i qetë pune në repartin e urgjencë do të thotë pajisja e këtij shërbimi me roje të sigurisë me kompetenca dhe aftësi profesionale që të parandalojnë dhe minimizojnë akte të tilla", shprehet Prof. Dr. Arjan Harxhi, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Infektivologjisë.
Mjekët kërkojnë që agresorët në raste të tilla të marrin dënimin maksimal, siç edhe e parashikon kodi penal për goditjen për shkak të detyrës. Por, nga ana tjetër, ata thonë se për shkak të mungesës së mjekëve, përballojnë situata dhe ngarkesë pune mbi kapacitetin.
"Ambient i qetë pune do të thotë shtim i personelit që punon pranë urgjencës, mjekë dhe infermierë dhe sidomos i atyre që duhet të merren me triazhin e pacientëve. Urgjenca e Shërbimit Infektiv, sidomos në periudha ngarkesash, siç është kjo e tanishmja e gripit sezonal, përballet me një numër dhe fluks të shtuar pacientësh që i kalon disa herë normat e punës të njohura ndërkombëtarisht", u shpreh Prof. Dr. Harxhi.
Në emër të gjithë personelit mjekësor në këtë shërbim, Harxhi deklaron se ka ardhur koha që të rishikohet kuadri ligjor e dhuna dhe agresioni ndaj personelit mjekësor në kushtet e punës, të konsiderohet formë shumë e rëndë e cenimit të personit dhe të marrë dënim maksimal.
Peticioni i Shoqatës Shqiptare të Infektivologjisë: Pjesa 1, Pjesa 2.
Alma Demiraj