mar82019
Fruthi në Shqipëri. Shënohet një tjetër viktimë
Një tjetër viktimë është shënuar nga virusi i fruthit në vendin tonë. Një grua 47-vjeçare nga Durrësi ka humbur jetën në shërbimin infektiv pasi ishte prekur nga virusi vdekjeprurës.
Gruaja kishte mbërritur në gjendje të rëndë në Tiranë dhe kishte kaluar pneumoni të rëndë. Ajo i ishte nënshtruar një terapie intensive për një periudhë 10-ditore në reanimacionin e shërbimit infektiv, por nuk ka mundur të mbijetojë. Gruaja humbi jetën fundjavën e kaluar, por nuk është bërë publike nga institucionet përkatëse.
Ndërkohë, mjekët thonë se situata me fruthin në Shqipëri është problematike. Kur kanë kaluar vetëm dy muaj për vitin 2019 janë regjistruar 122 raste të reja të prekura nga fruthi, shumica e të cilave i përkasin moshës nën 2 vjeç dhe vetëm në dy muaj janë regjistruar 6 raste që kanë humbur jetën për shkak të komplikacioneve të rënda që shkakton ky virus.
Situata me fruthin paraqitet problematike në të gjithë Europën, për shkak të përhapjes së shpejtë të virusit në popullatë. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për vitin 2018, janë regjistruar 83 mijë raste të prekura, ndërkohë që për vitin 2017 ishin vetëm 25 500 raste.
Alma Demiraj