maj242019
Ndryshimet në kodin penal. Prof. Arjan Harxhi: Mjeku nuk duhet të arrestohet dhe as të dënohet me burg. Ja, zgjidhja!
Mjekët mirëpresin ndryshimet që po bëhen në kodin penal, si një përgjigje ndaj reagimeve të tyre më të fundit në rastet e dhunimit të mjekëve, por ata kërkojnë që gabimi mjekësor dhe neglizhenca të trajtohen si çështje civile dhe jo penale. Shefi i Departamentit të Sëmundjeve Infektive, Prof. Arjan Harxhi shprehet kundër arrestimit dhe dënimit të mjekut me burg.
"Kriza e marrëdhënies mjek-pacient nuk mund të zgjidhet me arrestimin e mjekut apo burgosjen e tij. Nuk duhen konsideruar çështje penale, por çështje civile, problemet që lindin me mjekun gjatë ushtrimit të detyrës. Mjekësia nuk është shkencë ekzakte", shprehet profesor Harxhi.
Harxhi shprehet se kur mjeku kryen një krim, sigurisht që duhet të përballet me dënimin nëpër gjykata. Por, duke iu referuar modeleve të vendeve të zhvilluara, profesor Harxhi ofron dhe mënyrën si mund të zgjidhet rasti i gabimit mjekësor, pa u përfshirë në kodin penal.
"Të futet sistemi i sigurisë në rastet kur mjeku dëmton pacientin, që të dëmshpërblejë. Po kështu, të vlerësohen gabimet që ai bën nga eprori i tij".
Në kodin e ri penal parashikohet për herë të parë që dhuna ndaj bluzave të bardha të dënohet nga 1 deri në 5 vjet heqje lirie, ndërkohë që ka penalizim me burg edhe për mjekun, në rastin e gabimit mjekësor dhe neglizhencës.
Alma Demiraj