sht32019
Shtohet rotavirusi në kalendarin e vaksinave të detyrueshme
Nga 1 tetori, fëmijët që bëjnë vaksinat e dy mujorit të jetës do të duhet të bëjnë edhe një vaksinë të re, e cila shtohet për herë të parë në vendin tonë. Sipas ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik, kjo vaksinë aplikohet për të mbrojtur fëmijët nga sëmundjet gastroenterite.
Tanimë, fëmijët e vegjël do të kenë të detyrueshme 12 vaksina dhe jo 11, sa janë aplikuar deri me tani. Vetëm për futjen e vaksinës rotavirus në kalendar është akorduar një fond prej 600 mijë dollarësh. Ndërkohë, për të gjithë programin e vaksinimit në vendin tonë, përllogaritet një fond prej 2.8 milionë dollarësh.
Këtë vit pritet të ketë një tjetër mobilizim për vaksinën MMR, me qëllim parandalimin e rasteve me fruth, siç edhe u shënuan në fillim këtij viti. Përveç mospranimit në kopshte, shkolla dhe çerdhe të fëmijëve që nuk kanë bërë vaksinat, grupe pune do të trokasin derë më derë për vaksinimin e fëmijëve, me qëllim që t'i bindin prindërit të cilët janë skeptikë ndaj vaksinës MMR, e cila aplikohet në moshën 1-vjeçare.
Alma Demiraj