jan172020
Gjatë vitit 2019, kanë ikur drejt vendeve të BE-së 166 mjekë. Janë kthyer 8 të tjerë
Ikja e mjekëve është një fenomen që ndodh në shumë vende të Europës dhe jo vetëm. Por, ikja e mjekëve shqiptarë është një problem shqetësues për sistemin publik shëndetësor pasi po boshatisen sallat e operacioneve dhe po ikin edhe mjekë specialistë, përveç mjekëve të rinj. Dhe, ajo që e bën edhe më shqetësues këtë fakt është se nga Shqipëria ikin gati 50 % e mjekëve që përgatiten në vendin tonë. Në vitin 2019 janë pranuar në Universitetin e Mjekësisë 260 studentë që kanë zgjedhur të studiojnë në këtë degë, ndërkohë që gjatë këtij viti kanë marrë certifikatën e sjelljes së mirë pranë UMSH-së 166 mjekë. Certifikata e sjelljes së mirë u kërkohet mjekëve në spitalet ku ata do të kërkojnë punë. Sipas kreut të Urdhrit të Mjekut, dr. Fatmir Brahimaj, ashtu sikurse kanë ikur, ka edhe mjekë të cilët kanë ardhur për të punuar në vendin tonë.
"166 mjekë kanë ikur për vitin 2019, ndërsa prej 2017-ës numri ka shkuar në 666 mjekë të larguar. Pjesa më e madhe e të ikurve janë të rinj me 1 apo 2 vite përvojë pune, por nuk mungojnë as mjekët specialistë. Vetëm për vitin që lamë pas, kanë ikur 35 mjekë të specialiteteve të ndryshme, me përvojë disavjeçare", shprehet për Doktor33, dr. Brahimaj.
Por në lidhje me mjekët që pranojnë të vijnë ne Shqipëri, kreu i Urdhrit të Mjekut thotë se ka studentë të cilët janë diplomuar për Mjekësi në vende të ndryshme të BE-së dhe kanë pranuar të vijnë të punojnë në spitalet tona. Këtu, ai veçon 8 studentë mjekësie që kanë përfunduar studimet në universitetet e huaja dhe përveç këtyre, janë 48 mjekë të huaj që vijnë për të punuar në Shqipëri, por në spitalet jo publike.
Alma Demiraj