News

jan282020

Virusi në Kinë. OBSH: Rreziku global është i lartë. Nis puna për vaksinën. Në studim, edhe disa antiviralë

Ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se rreziku global që vjen nga coronavirusi kinez është "i lartë", duke pranuar një gabim në raportet e saj të mëparshme në të cilat u tha se rreziku ishte "i moderuar", ndërkohë që epidemia përshpejtohet dhe shkakton viktima të reja në Kinë, ka nisur puna për të zhvilluar një vaksinë kundër coronavirusit të ri.
Në këtë ndërmarrje janë përfshirë të paktën pesë ekipe ndërkombëtare, me qëllim shkurtimin e fazave, për të marrë sa më shpejt të jetë e mundur atë për të cilën nevojiten normalisht të paktën dy ose tre vjet punë. Testet e para mbi njerëzit mund të nisin në kohë rekord, "për më pak se tre muaj, përkundrejt 20 muajve që iu deshën vaksinës eksperimentale për SARS-in". Këtë e ka thënë një nga ekspertët kryesorë në imunologji, Anthony S. Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë, SHBA, përgjegjës për kërkimin dhe shëndetin publik.

"Përparimet e teknologjisë së lidhur me SARS-in kanë zvogëluar ndjeshëm kohën për zhvillimin e saj", shkroi Fauci në shkrimin e tij të fundit të botuar në revistën shkencore "Jama". Në tekst, shkencëtari, bashkë me autorët e tjerë, u referohet dy episodeve të mëparshme të epidemive të coronavirusit, të cilat fillimisht shkaktuan kaos global, për të përshkruar hapat e nevojshëm për të përmbajtur atë aktual. "Megjithëse trajektorja e këtij shpërthimi është e pamundur të parashikohet, shkruajnë ata, një përgjigje efektive kërkon veprim në kohë nga pikëpamja e strategjive të parandalimit të shpërndarjes, si dhe në lidhje me zhvillimin dhe zbatimin në kohë të masave efektive".

Në këtë drejtim, në punim nënvizohet se si studimet e tanishme po zhvillojnë antiviralë dhe teste diagnostikuese për të zbuluar shpejt infeksionin që filloi në qytetin kinez të Vuhanit. Dhe, mbi të gjitha, ata po përshtatin metodat e përdorura me SARS-in, për zhvillimin e vaksinave kandidate.
Hulumtimi "emergjent" përfshin ekipe ekspertësh nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë, Universiteti "Queensland" në Australi dhe kompanitë amerikane Moderna Therapeutics dhe Inovio Pharmaceuticals. Secili nga ekipet kryesore do të testojë një qasje të ndryshme për zhvillimin e vaksinave dhe studimet i financon Koalicioni për Përgatitjen ndaj Epidemive dhe Novacionin (Cepi).

Në frontin italian, Rino Rappuoli, një shkencëtar italian i njohur në botë në frontin e vaksinave, është më i kujdesshëm. Ai thotë për "Adnkronos Salute" se, "duke u përshpejtuar në maksimum, falë teknologjive të reja, një vaksinë kundër coronavirusit të ri mund të ishte e gatshme për përdorim në një periudhë 1-3-vjeçare. Është e qartë se, sa më i rrezikshëm të jetë kërcënimi i një sëmundjeje, aq më shumë shkencëtarë dhe kompani marrin përsipër rrezikun e përshpejtimit, duke bërë një vlerësim të plotë rrezik-përfitim, por për coronavirusin është shumë herët të thuhet. Mund të jetë një "flluskë" që mund të përmbahet dhe më pas të zhduket, siç ka ndodhur shumë herë, ose një çështje serioze. Nëse vazhdon të qarkullojë, duhet marrë në konsideratë se është një virus jo shumë vdekjeprurës, por shumë ngjitës, i ngjashëm me atë të gripit. Dhe, gripi, shkakton miliona vdekje çdo vit te pacientët më të brishtë", thekson eksperti. "Coronavirusi sot përfaqëson një alarm të konsiderueshëm dhe i ka frikësuar njerëzit, vazhdon shkencëtari. Nga pikëpamja shkencore, mund të thuhet se, për momentin, ky rrezik ka të bëjë kryesisht me Kinën. Dhe, kinezët e kanë marrë seriozisht, kanë mbyllur qytete të tëra dhe kanë marrë të gjitha masat e nevojshme, përveçse kanë vënë në dispozicion të komunitetit shkencor të gjitha të dhënat për virusin".

"Pra, e para gjë që duhet bërë sot, përfundon Rappuoli, është të mendohet për përmbajtjen, sepse nuk ka as vaksina dhe as barna specifike. Organizata Cepi ka aktivizuar bashkëpunime, veçanërisht me ndërmarrje novatore të bioteknologjisë dhe disa grupe janë vënë në punë. Edhe ne, si GSK, jemi në kontakt me ta, jemi vigjilentë dhe të gatshëm të vëmë në dispozicion përvojën tonë, nëse do të nevojitet".


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>