mar272020
Covid 19. OBSH: Arritje historike, nëse e gjejmë vaksinën për 18 muaj
"Do të ishte një arritje historike të gjejmë një vaksinë kundër coronavirusit për vetëm 18 muaj". Kështu ka thënë Ana Ana María Henao-Restrepo, studiuese e nivelit të lartë dhe drejtuese e ekipit për hulumtimin e vaksinave në raste urgjencash shëndetësore në OBSH, gjatë intervistës për një nga mediat kryesore të specializuara në politikat evropiane, "Euractive".
"Po punojmë shumë, të gjithë, për ta arritur këtë. Megjithatë, shumë gjëra duhet të shkojnë në drejtimin e duhur. Po punojmë për një test të parë te njerëzit, duke shpejtuar proceset dhe pa komprometuar në asnjë mënyrë sigurinë e pacientit", thotë Ana María Henao-Restrepo.
Ja, disa fragmente nga intervista.
- Një nga linjat e hulumtimit që ju po koordinoni në OBSH, është zhvillimi i vaksinave kundër Covid-19. Në ç'pikë janë studimet?
- Në OBSH po ndjekim përparimin e të gjitha vaksinave të mundshme në zhvillim, të cilat, për momentin, janë më shumë se 40. Jemi shumë të lumtur sepse një test i parë filloi disa ditë më parë me një vaksinë eksperimentale, "Messenger Rna", e zhvilluar nga Qendra e Kërkimit të Vaksinave (divizion i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive) dhe nga ndërmarrja bioteknike Moderna, të dyja të vendosura në Shtetet e Bashkuara. Nëse do të rezultojë e sigurt, ajo do të testohet te 45 vetë, me dy doza, 28 ditë larg njëra-tjetrës. Pacientët do të monitorohen një vit, për të kuptuar suksesin e mundshëm të hulumtimit. Është hera e parë në histori që një vaksinë është zhvilluar vetëm 60 ditë pas sekuencimit të gjenomit të një virusi. Një studim i ngjashëm po zhvillohet gjithashtu në Kinë dhe do të fillojë këtë javë.
- Si keni arritur t'i filloni testet për vetëm dy muaj, në vend të katër-pesë muajve, që kishte planifikuar fillimisht OBSH-ja?
- Kjo është çështje e zhvillimit teknologjik dhe gjithashtu, rezultat i bashkëpunimit efikas midis Qendrës Kërkimore të Vaksinave dhe ndërmarrjes Moderna. Thelbësore ishte ndarja e shpejtë e sekuencës gjenomike të virusit.
- A mund të arrihet vaksina edhe para 18 muajve, të hamendësuar nga OBSH-ja?
- Është e vështirë të dish saktësisht. Aktualisht, ne po komunikojmë dita-ditës progresin e hulumtimit. Po i përshpejtojmë proceset duke u përpjekur të mos rrezikojmë sigurinë e pacientit, me ndjekjen e të gjitha protokolleve, për të arritur efektivitetin dhe efikasitetin maksimal.
- Është e vështirë të parashikosh të ardhmen, por sipas mendimit tuaj, sa kohë do të kalojë përpara se bota të arrijë ta kontrollojë dhe zhdukë pandeminë?
- Nuk mund të bëhet asnjë spekulim, por nënvizoj edhe një herë kërkesën e Drejtorit të Përgjithshëm të OBSH-së për të ndjekur udhëzimet që ne po komunikojmë. Sa më shumë njerëz të ndjekin masat e shëndetit publik të rekomanduara nga OBSH-ja, aq më shpejt mund të ndalet epidemia dhe, në këtë kuptim, është e rëndësishme që mediat të na ndihmojnë në dhënien e informacioneve të duhura, pa krijuar panik. Nëse të gjithë punojmë së bashku, me përgjegjësi dhe solidaritet të ndërsjellë, beteja mund të fitohet.