mar302021
Vaksina Sinovac, afër parakualifikimit nga OBSH-ja. Dr. Silva Bino: Në fund të qershorit arrijmë 40 % të vaksinuar. Kthim në normalitet
Ekspertja e të gjithë procesit të vaksinimit që po ndodh në Shqipëri, dr. Silva Bino, thotë se për asnjë vaksinë nuk duhet hezituar. Vaksina kineze Sinovac ka të dhëna shumë optimiste në vendet ku është përdorur, si në Turqi, ku iu nënshtrua fazës së tretë të studimit më parë se atje të niste vaksinimi masiv, në Brazil dhe në Kinë.
"Të katërta vaksinat kanë efektshmëri të lartë përsa i përket qëllimit që kemi. Synohet ulja e përhapjes së infeksionit, por edhe të mos kemi raste të rënda në spital dhe të ulim vdekshmërinë. Vaksina Sinovac këto ditë do të parakualifikohet edhe nga OBSH-ja", shprehet dr. Bino.
Vaksina Sinovac mund të kryhet mbi moshën 18 vjeç e lart, pasi vetëm për Pfizer dhe Moderna kanë nisur studimet për t'u aplikuar edhe te fëmijët. Me vaksinën Sinovac, antitrupat mund të krijohen brenda 10 ditëve nga doza e parë. Ndërkohë që doza e dytë mund të kryhet jo më shpejt se një muaj pas dozës së parë, por mund të shtyhet në kohë më shumë se një muaj. Bino shpjegon se nëse do të ketë vaksina dhe kompanitë do të respektojnë kontratat e nënshkruara në fund të muajit qershor, vaksinohen me dozën e parë 40 % e popullsisë target vaksinimi dhe kjo e dhënë çon në kthim në normalitet.
Por, ndërkohë, si grupe që duhen vaksinuar shpejt, për sa kohë që synohet lehtësimi i turizmit, janë edhe ofruesit e shërbimeve në hotele, bare dhe restorante.
Alma Demiraj