jan312020
Coronavirusi ende larg Shqipërisë. Ritet numri i të prekurve nga gripi. Humb jetën një grua
Shënohet rasti i parë i humbjes së jetës nga gripi në vendin tonë për këtë sezon. Para disa ditësh, një grua 61 vjeçe e cila vuante nga sëmundje kronike të zemrës, por që ishte prekur edhe nga virusi i gripit, ka humbur jetën në Spitalin Universitar "Shefqet Ndroqi".
Gruaja nuk ishte vaksinuar kundër gripit dhe ka pasur që në fillim simptoma të rënda, duke kaluar në pneumoni. Por, ndërkohë, situata gripale në vend duket normale, pasi deri më tani raportohen 16 mijë të prekur në javë dhe ende nuk jemi as në prag epidemie. Këtë e konfirmon edhe Instituti i Shëndetit Publik në raportin javor që publikon në lidhje me situatën e gripit në vendin tonë.
Përveç të prekurve që manifestojnë simptoma më të lehta, ka edhe pacientë të tjerë të shtruar në spital që janë në një situatë më të rënduar. Specialistët shpjegojnë se virusi i tipit A duket se është më agresiv sesa virusi i tipit B.
Ndërsa në hartën e OBSH-së, nisur nga numri i të prekurve, Shqipëria renditet në nivel mesatar. Mjekë dhe specialistë të ISHP-së vijojnë t'u bëjnë thirrje individëve me sëmundje kronike që të vaksinohen, pasi virusi i gripit ndikon në përkeqësimin e gjendjes së tyre shëndetësore.
Përsa i përket coronavirusit të ri, OBSH-ja ka shpallur emergjencë shëndetësore ndërkombëtare. Janë shënuar dy raste me coronavirus në Itali dhe shteti fqinjë ka ndërprerë fluturimet me Kinën. Pas vendimit të OBSH-së, është mbledhur për të dytën herë edhe task forca në Shqipëri, për të rritur masat e gatishmërisë.
Alma Demiraj