shk282020
Coronavirus. Afrohet pandemia. Virologët diskutojnë për hapje të kufijve
Ekspertët diskutojnë me njëri-tjetrin, duke ndarë mendime të ndryshme, por shumë prej tyre janë të bindur që coronavirusi i ri do të hyjë në një fazë pandemike. "Nature e Science" ka intervistuar epidemiologë dhe virologë nga strukturat kryesore të studimit në botë, të cilët theksuan nevojën për të kuptuar ende shumë gjëra në lidhje me transmetimin e patologjisë. Shumë prej tyre thonë se janë veçanërisht të shqetësuar nga lajmi për shumë raste në Iran. "E konsideroj çështjen shqetësuese sepse udhëtimet ndërkombëtare nuk janë shumë të zakonshme për iranianët. Prandaj, ka të ngjarë të ketë një numër të madh rastesh të pazbuluara në vend, që qarkullojnë prej kohësh", thotë Andrew Tatem nga Universiteti i Southamptonit.
Sidoqoftë, studiuesit nuk ndalen në këtë konsideratë. Ben Cowling, epidemiolog në Universitetin e Hong Kongut, thotë se është i bindur që identifikimi i rasteve të shumta të panjohura më parë në Iran, Itali dhe në Korenë e Jugut tregon pamundësinë e përmbajtjes së virusit. Gjithashtu, Marc Lipsitch (Universiteti i Harvardit) dhe Christopher Dye (Universiteti i Oksfordit), besojnë se virusi do të përhapet gjerësisht jashtë Kinës. Për pasojë, shumë besojnë se masat ndërkombëtare të kontrollit, të miratuara deri më tani nuk do të kenë më arsye të ekzistojnë, edhe për shkak të rritjes së numrit të vendeve të përfshira.
Në këtë drejtim, Luciana Borio, ish-konsulente në Këshillin e Sigurimit të Shteteve të Bashkuara, thotë se duhet të përqendrohemi në zbutjen e ndikimit në komunitet, të paktën deri në krijimin e një vaksine. "Tani detyra është të zbutet, të ruhet funksionimi i sistemit shëndetësor dhe jo të na zërë paniku", konfirmon Alessandro Vespignani, specialist i sëmundjeve infektive në Universitetin Verilindor.
Ekspertët argumentojnë se vazhdimi i pengimit të udhëtimit mund të jetë një problem, jo vetëm sa i përket ndikimit të tij në besimin e publikut. Kina eksporton shumë produkte, duke përfshirë pajisje mbrojtëse mjekësore, barna, pajisje elektronike, etj. dhe ndërprerja e prodhimit po shkakton probleme në zinxhirin e furnizimit. Edhe për këtë arsye, nëse sëmundja vazhdon të përhapet jashtë Kinës me ritmin e ditëve të fundit, do të bëhet e qartë se ndalesa për të udhëtuar nuk mund të jetë më një masë efektive.
Si përfundim, sipas ekspertëve, çfarë ka rëndësi është që spitalet të përgatiten për të pritur më shumë pacientë, duke krijuar edhe rezerva të materialeve mbrojtëse dhe që të vazhdohet duke bërë vaksina për grip dhe për infeksion nga pneumokoku, në mënyrë që të thjeshtohet më shumë identifikimi i Covid-19.
Nature 2020
https://www.nature.com/articles/d41586-020-00551-1
Science 2020
https://www.sciencemag.org/news/2020/02/coronavirus-seems-unstoppable-what-should-world-do-now