pri102020
Covid-19. Shoqatat shkencore kërkojnë kujdes në trajtimin ushqimor të pacientëve
Janë vënë në dispozicion tashmë rekomandimet e reja për trajtimin ushqimor të pacientëve me Covid-19, të zhvilluara nga bashkëpunimi midis Shoqatës Italiane të Ushqyerjes Klinike dhe Metabolizmit (SINUC) dhe Shoqatës Italiane të Anestezisë Analgjezike (SIAARTI).
"Karakteristikat klinike të pacientëve me sëmundje kritike Covid-19 theksojnë kequshqyerjen e përhapur", thuhet në njoftimin e përbashkët për shtyp të dy shoqatave shkencore. "Kujdesi për ushqimin është jetik, veçanërisht te pacientët me infeksione dhe dështim të organeve. Sepsisi është vetëm një nga shumë zona terapeutike ku mbështetja ushqimore është shoqëruar me një ulje të kohëzgjatjes së terapisë intensive dhe vdekshmërisë. Pacientët e hospitalizuar kanë kosto më të larta spitalore, qëndrime të zgjatura në spital dhe rritje të vdekshmërisë. Zgjerimi dhe sfida pa precedent ndaj shërbimeve të ICU-së, kërkon në mënyrë të pashmangshme planifikim dhe ristrukturim të shërbimeve dietike, për të mbështetur intensivistët".
Shumica e të prekurve nga Covid-19 zhvillojnë një sëmundje të butë ose pa komplikacione, afërsisht 14% zhvillojnë sëmundje serioze që kërkon shtrimin në spital e mbështetje me oksigjen dhe 5% kërkojnë shtrim në një njësi të kujdesit intensiv.
"Në rastet më të rënda, Covid-19 mund të komplikohet nga sindroma akute e stresit respirator (ARDS), sepsisi dhe shoku septik, dështimi shumë-organësh, me përfshirje të veçantë të veshkave dhe zemrës. Pandemia virale Covid-19 paraqet një sfidë të paparë te shërbimeve të kujdesit intensiv. Mosha e madhe dhe sëmundjet shoqëruese janë raportuar si faktorë të rritjes së rrezikut të vdekshmërisë".
"Është vërejtur gjithashtu që kohëzgjatja mesatare e zbulimit të ARN-së virale është rreth 20 ditë (Iqr 17-24) te të mbijetuarit, por virusi Sars-CoV-2 është i zbulueshëm deri në vdekje, te jo të mbijetuarit. Kohëzgjatja e vërejtur e përhapjes virale te të mbijetuarit ishte 37 ditë".