maj272020
OBSH-ja pezullon eksperimentimet me hidroksilklorokinën. Hidhen dyshime mbi sigurinë
Rruga e antimalarikut hidroksilklorokinë, një medikament i mundshëm premtues për trajtimin e Covid-19, është bllokuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. OBSH-ja ka njoftuar mbi vendimin e saj për të ndaluar testimin e përdorimit të barit, duke ngritur shqetësime për sigurinë e tij. Në një konferencë shtypi virtuale, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, saktësoi se organizata ka pezulluar "përkohësisht" si masë paraprake eksperimentet klinike për përdorimin e hidroksilklorokinës, që janë në zhvillim e sipër me partnerët e saj në disa vende. Vendimi pason publikimin të premten e kaluar në "Lancet" të një studimi sipas të cilit përdorimi i klorokinës dhe derivateve të tij, siç është hidroksilklorokina, në trajtimin e Covid-19 është i paefektshëm, në mos i dëmshëm. Sidoqoftë, studimi u vlerësua si "i turbullt" nga specialisti francez i sëmundjeve infektive Didier Raoult, një nga pionierët në përdorimin e hidroksilklorokinës, i cili tha se dëshironte të vazhdonte me këtë metodë në spitalin e sëmundjeve infektive në Marsejë, ku ai punon.
Teste të ndryshme mbi këtë antimalarik janë në zhvillim e sipër, por dyshimet janë shprehur kohët e fundit edhe nga drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Italiane të Barnave (AIFA) Nicola Magrini: "Ne dimë pak për efikasitetin, për dëmet e mundshme dhe mungesën e sigurisë në disa nëngrupe të kufizuara pacientësh", tha ai. Vetë AIFA, megjithatë, në mes të majit ndezi dritën e gjelbër për studimin më të madh italian mes personelit shëndetësor më të ekspozuar ndaj rrezikut të infeksionit, me qëllim, verifikimin nëse përdorimi i tij përpara ekspozimit ndaj coronavirusit redukton mundësinë për t'u sëmurur.
Një studim tjetër është COP-COV (chloroquine profhylaxis-coronavirus) i promovuar nga Universiteti i Oksfordit dhe i koordinuar nga njësia kërkimore mbi sëmundjet tropikale në Universitetin Mahidol të Bangkokut (Moru), me 40,000 pjesëmarrës në Azi, Afrikë dhe Evropë, të shpërndarë në rreth 100 spitale. Qëllimi ishte testimi i antimalarikut në studime të autorizuara. Por, edhe Agjencia Evropiane e Barnave në prill tërhoqi gjithashtu vëmendjen ndaj rrezikut të efekteve anësore serioze me klorokinën dhe hidroksilklorokinën e përdorur në kontekstin e pandemisë. Edhe pse deri më tani ka pasur disa studime mbi efikasitetin e hidroksilklorokinës dhe klorokinës, në shumë raste të dyja barnat janë përdorur në mënyrë eksperimentale në mjedisin spitalor.