jan192021
Covid-19. Kina dhe OBSH-ja janë "fajtore". Reaguan ngadalë ndaj coronavirusit
Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe qeveria kineze duhej të kishin vepruar më shpejt për frenimin e sëmundjes që sot ka gjunjëzuar botën. Raporti i Panelit të Pavarur për Gatishmërinë dhe Reagimin ndaj Pandemisë, ka dalë në përfundimin se një vlerësim i "kronologjisë së fazës së hershme të shpërthimit" sugjeron qartë se ekzistonte potenciali të veprohej që me shenjat e para të saj.
Coronavirusi u shfaq në qytetin e Vuhanit në fundin e vitit 2019 e prej andej u përhap në mbarë globin duke marrë deri tani 2 milionë jetë njerëzish e duke infektuar mbi 93 milionë vetë. Në raport, paneli thekson se mund të ishin aplikuar me vendosmëri masa më të ashpra shëndetësore nga autoritetet lokale e ato kombëtare në Kinë në muajin janar. Po kështu, ky raport kritikon OBSH-në për faktin që tërhoqi këmbën zvarrë në fillimin e krizës dhe komitetin e saj të krizës nuk e mblodhi më parë, por vetëm në fundin e janarit 2020.
SHBA-ja e ka akuzuar në mënyrë të përsëritur Kinën se ka fshehur informacionet për shkallën e të infektuarve dhe ka bërë thirrje për një hetim "transparent" mbi origjinën e coronavirusit. Pekini pretendon se pavarësisht faktit që coronavirusi u shfaq për herë të parë në Vuhan, nuk do të thotë se ai domosdoshmërisht e ka origjinën aty.
Alma Demiraj