jan72022
Ilir Alimehmeti, kundër vaksinimit të fëmijëve të shëndetshëm
Për shkak të qarkullimit të dy mutacioneve të Covid-19, por edhe të virusit të gripit dhe krijimit të një situate kritike epidemiologjike, ekspertë të shëndetësisë në Shqipëri rekomandojnë vaksinimin anticovid edhe të fëmijëve të shëndetshëm, 15 vjeç e lart. Prindërit janë shumë skeptikë dhe kanë hezituar t'ua bëjnë vaksinën fëmijëve, por këtë hezitim të prindërve e mbështet edhe epidemiologu Ilir Alimehmeti, i cili është kundër vaksinimit të fëmijëve të shëndetshëm. Duke folur për Doktor33, epidemiologu argumenton:
"Vaksinimi i fëmijëve të shëndetshëm nuk është efikas, pasi fëmijët, edhe kur preken, e kalojnë shumë lehtë. Sipas një studimi të bërë në Britani, duhen vaksinuar 25 mijë fëmijë për një fëmijë të shtruar në spital, ndërsa duhen vaksinuar 500 mijë fëmijë për një fëmijë në terapi intensive. Pra, përfitimi është fare i vogël dhe nuk kanë pse të vaksinohen fëmijët e shëndetshëm", shprehet Ilir Alimehmeti.
Por i pyetur në lidhje me transmetueshmërinë nga fëmijët te prindërit, Alimehmeti përgjigjet:
"Kujt do t'ia transmetojnë fëmijët? Në shkollë dhe në kopësht, mësuesit janë të vaksinuar. Po kështu, edhe në shtëpi të rriturit janë të vaksinuar, kështu që nuk e gjej me vend. Ç'do të ndodhë me ato familje që janë kundër vaksinës? Ato, sërish, nëse nuk kanë vaksinuar veten, nuk do ta bëjnë as me fëmijët e tyre", argumenton epidemiologu.
Ilir Alimehmeti është pro vaksinimit të fëmijëve që kanë sëmundje kronike. Në këtë pikë, thotë ai, do t'i nxisja prindërit që të mos humbin asnjë sekondë, por t'i vaksinojnë fëmijët e tyre.
Alma Demiraj