jan122022
Varianti Omicron. Kur me modesti nuk përmendim frikën, por kujdesin
Varianti i ri SARS CoV-2 Omicron është shndërruar në "popullatën" predominuese në shumë shtete. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, brenda 2 muajve do të infektohen 50% e popullatës së Evropës. Tashmë, studimet kanë vërtetuar që varianti Omicron është 10 herë më infektues sesa varianti Delta.
Ndonëse prezantimi klinik është më i lehtë, hospitalizimet kanë tejkaluar shifrat e një viti më parë për të njëjtën periudhë. Varianti Omicron po "përmbyt" shumë spitale në Amerikë dhe Evropë. Po ndihet mbingarkesa në shtrime, duke shkaktuar mungesa në personelin shëndetësor dhe kufizime në ofrimin e kujdesit për specialitetet e tjera spitalore.
Rastet e shtuara të shtrimeve nga infeksioni me SARS CoV-2, varianti Omicron, janë pacientë të pavaksinuar, ose pacientë me shumë faktorë rreziku të cilët nuk kanë marrë dozën e tretë (boosting). Numri i pacientëve të pavaksinuar, të shtruar me COVID-19 nga Omicroni, është 6 herë më i madh sesa i rasteve të vaksinuara.
Metrikat e agresivitetit të varianteve të SARS CoV-2 janë numri i hospitalizimeve dhe vdekjeve. Për shembull, në Amerikë, numri i pacientëve të hospitalizuar është 99% dhe i vdekjeve 50%, në krahasim me pikun e një viti më përpara.
Paradoksi i variantit Omicron midis formës më lehtë klinike dhe numrit të lartë të hospitalizimeve shpjegohet me shkallën e lartë të infektueshmërisë, në krahasim me variantin Delta.
Mutacionet e shumta në gjenomën e Omicronit kanë si pasojë edhe riinfektimin e individëve që kanë bërë dy dozat e vaksinës dhe jo pak raste, me dozë të tretë. Por, në shumicën e rasteve, këta individë paraqesin forma të lehta të COVID-19. Prandaj, për askënd, riinfektimet nuk mund të jenë "ngushëllim" apo justifikim për të mos u vaksinuar.
Drejtori i OBSH-së për Evropën, me modesti, nëpërmjet numrave, duke deklaruar 7 milionë raste të reja në javën e parë të janarit, mundohet të transmetojë mesazhin që duhet të vazhdojmë të jemi të KUJDESSHËM ndaj infeksionit Omicron, pa bërë thirrje për "vrasje mendjeje" për të përkthyer të dhënat që ai prezantoi. Për më tepër, në deklaratën e tij nuk përmendet frika, çka do mund të shkaktonte efektin frikë edhe tek ata që deri më sot kanë qenë trima.
Ka studime të cilat krahasojnë 15 ditët (dhjetor) e infeksionit nga Omicroni me 4 muajt (shtator-dhjetor) të infeksionit nga varianti Delta, krahasim i papërshtatshëm për nga përputhshmëria në studime, për më tepër kur periudha kulmore e rasteve të reja me infeksion nga Omicroni shtrihet në javët e janarit 2022.
Aktualisht, numri i amerikanëve të shtruar në spital me Covid-19 ka tejkaluar kulmin e dimrit të kaluar, duke nënvizuar rrezikshmërinë që vazhdon të paraqesë varianti Omicron.
Shumë shtete raportojnë dyfishim të shtrimeve të fëmijëve, në krahasim me shtrimet e të rriturve. Kjo mund të shpjegohet jo vetëm me mbrojtjen e të rriturve nga vaksinimi, por edhe nga karakteristikat fiziologjike të traktit respirator. Fëmijët kanë ritëm respirator më të lartë sesa të rriturit, gjë që i bën ata më të ndjeshëm ndaj agjentëve dëmtues që ndodhen në ajër midis tyre edhe Omicronit.
Sipas të dhënave të Qendrës së Parandalimit dhe Kontrollit të Sëmundjeve në Amerikë (CDC), mesatarisht shtrohen çdo ditë në spitale 672 fëmijë, që është numri më i madh gjatë pandemisë. Ndërkohë, në studimin e bërë nga CDC-ja, konstatohet se fëmijët që kalojnë COVID-19, kishin rrezik më të lartë për diabet mbas infeksionit SARS CoV-2. Këto të dhëna mendoj se nuk kanë nevojë për thellësi mendimi, ashtu sikurse edhe për faktin tjetër që është e vërtetë se te fëmijët, si edhe te të rriturit prezantimi klinik i Covid-19 shkaktuar nga Omicroni është më i lehtë sesa i variantit Delta. Por, edhe një herë nuk duhet të harrojmë PARADOKSIN e Omicronit.
Prandaj, edhe për fëmijët, duhet shumë kujdes në zbatimin e protokolleve për parandalimin e infeksionit nga SARS CoV-2.
Prof. Perlat Kapisyzi